E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kishë ortodokse në themelet e vatrës së Nënë Terezës

Qeveria Maqedonase miraton vendimin. Historianët shqiptarë: E papranueshme
Qeveria e Maqedonisë mendon të ngrejë një kishë mbi shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup. Vendimin e fundit të qeverisë maqedonase që mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup të ndërtohet një kishë e "Mbretit Kostantin dhe Mbretëreshës Elenë" e ka dhënë dje para gazetarëve zëdhënësi i qeverisë maqedonase Ivica Bocevski i cili ka theksuar se tashmë kjo është vendosur dhe qeveria ka shpallur edhe një konkurs ndërkombëtar mbi projektin e kësaj kishe.
Pikërisht vendit ku ka qënë shtëpia e Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiu) në lagjen e Vllehëve në Shkup, për vite me radhë nuk i janë hedhur sytë, nuk është treguar asnjë interes derisa ajo u rrënua dhe tani ka ngelur një pllakë e madhe me portretin grafik të Nënë Terezës ku thuhet: "Këtu ka lindur dhe është rritur nobelistja e madhe Nënë Tereza."
I menjëhershëm ka qënë reagimi i historianëve shqiptarë. Profesori i historisë, Skënder Asani, ka thënë për gazetën se ata kanë njoftuar menjëherë Selinë e shenjtë në Vatikan, Tiranën zyrtare dhe UNESCO-n për nënçmimin e qeverisë maqedonase ndaj figurës së Nënë Terezës. Është kërkuar disa kohë më parë që kjo shtëpi të rindërtohet, kërkesë të cilës qeveria i ka kthyer një përgjigje formale se ajo shtëpi për efekt vendi nuk mund të rindërtohet aty ku ka qenë. Ja ku vjen "papritur" një projekt i ri për ndërtimin e një kishe ortodokse tek themelet e shtëpisë së Bojaxhinjve në Shkup, atje ku ka lindur Nënë Tereza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›