Politika bullgare nuk ndryshon ndaj Shkupit

Politika e jashtme dhe rajonale e Bullgarisë e udhëhequr nga presidenti i sapozgjedhur Rosen Plevneliev nuk do të ketë qasje ndryshe edhe ndaj Maqedonisë.
Kjo raportohet nga mediat maqedonase proqeveritare, të cilat theksojnë se presidenti i ri Plevneliev në fjalimet e tij të fundit nuk ka përmendur marrëdhëniet me fqinjët, bashkëpunimin rajonal dhe çështjen e pakicave, për të cilën gjë pretendon Qeveria në Shkup se ka pakicë maqedonase në Bullgare, e cila nuk njihet nga autoritetet shtetërore.
Plevneliev, i cili vjen në vend të presidentit të deritanishëm Përvanov do të marrë mandatin e ri zyrtarisht më 20 janar. Ai numrin më të madh të votave e mori pas paralajmërimeve se do të pastrojë institucionet dhe përfaqësitë diplomatike të Bullgarisë nga struktura të shërbimeve të kaluara sekrete të periudhës së komunizmit.
Ambasadorët bullgarë dhe disa krerë të institucioneve dominohen dhe dekretohen nga ana e presidentit, mirëpo presidenti i deritanishëm Përvanov, nuk ka bërë asnjë ndryshim, për shkak të kaluarës së tij komuniste dhe ishte i dyshuar për bashkëpunim me ish-shërbimet sekrete.