Stefanoviç akuzohet për tradhti nga serbët e veriut të Kosovës

Të ashtuquajtura komunat serbe në veri të Kosovës u ka apeluar serbëve të rebeluar të mos pranojnë marrëveshje me të cilat do të rregullohej çështja e pikave kufitare 1 dhe 31, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të ngrejnë padi kundër shefit të ekipit negociator të Beogradit, Borko Stefanoviç.
Në një deklaratë të publikuar sot për medit strukturat paralele serbe thuhet se paralajmërimi i shefit negociator të Beogradit në dialogun me Kosovën, se ndodhen pranë zgjidhje për vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinje, për të cilat ai vetë pohon se nuk janë ideale, paraqet kapitullim para kërkesave të Prishtinës.
Strukturat paralele në veri konsiderojnë “marrëveshjen thikë prapa shpinës për serbët e Kosovës”, prandaj për shkak të këtyre, si dhe marrëveshjeve të mëparshme me Prishtinën ato paralajmërojnë se brenda një kohe të shkurtër do të ngrejnë padi kundër Stefanoviçit për tradhti kombëtare.
Shefi i ekipit negociator serb në dialogun me Kosovën pat deklaruar në fund të tetorit, se së shpejti do të gjendet zgjidhja për krizën në veri, por ajo nuk do të jetë ideale dhe nuk do t`iu përgjigjet në tërësi synimeve dhe nevojave të Serbisë. Madje, Stefanoviç ka thënë se disa liderë politikë serbë nga Kosova kanë probleme me “rishikimin e realitetit”.