Politika e Buqes dhe Tekiut
Gjendja sa i përket shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës vazhdon të mbetet e njëjtë. Madje, nga disa regjisorë e dramaturgë, ajo cilësohet të jetë më e mjerë sesa kur, katër vite me parë, drejtor i Teatrit Kombëtar ishte Teki Dervishi.
Regjisori Agim Selimi thotë për Express se, në kohën e Teki Dervishit jo vetëm që ka pasur shfaqje më shumë, por ka pasur mundësi që të gjithë regjisorët të shprehen artistikisht. Madje, sipas tij, tani ka edhe paragjykime dhe përzgjedhje selektive të atyre që bëjnë shfaqje në TKK.
“Nuk është e vërtetë se Tekiu nuk ka punuar. Madje mendoj se ka pasur kritika të paarsyeshme të medieve, sepse në kohën e Tekiut janë bërë 8-9 premiera në vit, e tani mezi bëhen 3 ose 4. Tjetra është se, nuk ka as njoftime për shfaqjet që do të jepen - me përjashtim të një pllakati që lajmëron për datat - dhe të cilat shpesh nuk dihet nëse jepen apo jo, për shkak se mund edhe të anulohen”, thotë Selimi.
Ndryshe nga ai mendon drejtoresha e përgjithshme e TKK’së, Burbuqe Berisha. Ajo thotë se gjatë këtij viti në skenën e vogël dhe të madhe të TKK’së janë shfaqur tetë premiera.
“Sivjet kanë qenë tetë premiera, në të dyja skenat – në të voglën dhe në të madhen”, thekson Berisha, derisa numëron shfaqjet e prodhuara këtë vit në TKK.
“Në realitet, kanë qenë katër shfaqje vetëm në skenën e vogël duke mos numëruar ato në skenën e madhe”, kujton ajo.
Selimi, nga ana tjetër, akuzon TKK’në se edhe për përzgjedhje dhe seleksionim të njerëzve që do të bëjnë regji, duke pohuar paralelisht se kritikat që dikur i janë bërë Teki Dervishit ishin më shumë politike sesa diçka që ka të bëjë me teatrin.
“Është e sigurt që ka qenë kështu, sepse tani teatri më nuk është objekt i luftës politike, kurse atëherë ishte”, sqaron Selimi.
Sipas tij, në kohën e Teki Dervishit repertori dihej që në fillim të vitit, ndërkohë që tani nuk dihet më asgjë, madje as koha se kur dhe si do të mund të konkurrohet me ndonjë shfaqje një regjisor.
“Është shumë e vërtetë që seleksionohen, e madje edhe paragjykohen regjisorët. Pra, sipas asaj se kush duhet të punojë në Teatër dhe kush jo. Ka vite që unë nuk e di sesi shkon procedura e aplikimit në Teatrin Kombëtar, me përjashtim të Konkursit Katarina Josipi. Ka pra shumë vërejtje për atë sesi funksionon teatri sot”, thotë Selimi për Express.
Sa i përket akuzës së tij për seleksionim të njerëzve që mund ose s’mund të bëjnë shfaqje në TKK, drejtoresha Berisha thotë se ky është një problem i drejtorit artistik.
“Ju lutem, aty përgjigjet drejtori artistik dhe Bordi Artistik i Teatrit, dhe jo unë si drejtoreshë e përgjithshme”, shprehet ajo.
Edhe për dramaturgun Albatros Rexhaj, gjendja e TKK’së është më e keqe se në kohën e Teki Dervishit, pasi që, siç thotë ai, atëherë kishte kritika për teatrin vetëm për shkaqe politike, e jo artistike.
“Unë mendoj se drejtoresha e re nuk ka pasur mundësi që ndonjëherë ta tregojë veten, sepse ajo është zënë ndërmjet dy zjarreve, në mes të Ministrisë së Kulturës nga njëra anë, dhe drejtorit artistik, nga ana tjetër. Mendoj se Buqja është shumë natyrë e butë që të ballafaqohet me të gjitha telashet dhe energjinë negative që ekziston brenda komunitetit artistik të teatrit. Sa i përket kohës së Tekiut, mendimi im është se asokohe kemi qenë dëshmitarë të një fushate politike ndaj Tekiut, m’u për faktin se ai ishte mik personal i presidentit Rugova. Ka pasur edhe gabime, por po të krahasohen periudhat shohim një padrejtësi diku në mes”, përgjigjet Rexhaj.
Ndryshe, Rexhaj përkujton se Tekiu aplikonte një politikë të ruajtjes së raporteve me të gjithë, dhe për këtë i kishte hapur dyert e TKK’së.
“Kjo ndonjëherë e ka dëmtuar kualitetin, por TKK të paktën ishte më i hapur se sot. Mendoj se izolimi i sotëm, mungesa e kreativitetit që TKK të mbledhë të gjithë artistët - e kjo nuk do të thotë që të gjithë të punojnë diçka në TKK - vetëm sa do ta dëmtojë TKK’në. Fakti se shumë pak njerëz në Kosovë merren me teatrin, tregon se teatri sot ka pak relevancë në jetën tonë të përditshme. E kjo, mes tjerash, ndodhë edhe për faktin se artistët tanë nuk dinë t’i motivojnë njerëzit”, thotë Rexhaj.
Sido që të jetë, edhe analistë të tjerë të teatrit mendojnë se në dekadën e pasluftës në Kosovë koha e Tekiut ishte më e mira - pa anashkaluar këtu edhe kohën sa drejtor i përgjithshëm ishte Arian Krasniqi, i cili dha dorëheqje pas gjashtë muajsh.
Paralelisht, në kohën e drejtoreshës Berisha, pavarësisht asaj se ka shfaqje, kritikat janë zhvendosur në një rrafsh tjetër ; në seleksionimin e njerëzve të preferuar për të bërë shfaqje në TKK, vetëm nga ata që janë të afërt politikisht me partinë në pushtet, PDK.