E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika, mbi artin e kulturën

Në një intervistë për Express, ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi thotë se politika është treguar më e fortë dhe më e vrazhdë, sesa ambicia dhe idealizmi për të shërbyer për artin dhe kulturën në Kosovë.

I shërbeu teatrit për një vit të plotë, e mandej dha dorëheqje.

Tani tregon se, pavarësisht përpjekjeve që nga teatri t’i largonte akademitë përkujtimore dhe koncertet, këtë nuk e arriti, sepse ishte politika ajo që ishte më e fortë në këtë aspekt. Është kundër ndryshimeve të ligji të teatrit, për sa i përket kompetencave të drejtorit artistik, por jo edhe kundër ndryshimeve të tjera. Ish-drejtori njëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi, në një intervistë për EXPRESS flet për punën e tij dhe mënyrën se si po funksionon sot TKK.

EXPRESS: Në çfarë pozite gjendet Teatri Kombëtar i Kosovës sot?

A. Krasniqi: Është një kohë tranzicioni, jo vetëm në TKK por në krejt jetën teatrore në vend. Tash e 10 vjet skena teatrore në Kosovë vuan nga mbështetja e mjaftueshme institucionale, por edhe nga sukseset që do t’i dëshironim të gjithë ne. Unë nuk pajtohem me faktin që kur flasim për teatrin në Kosovë duhet folur domosdoshmërisht vetëm për Teatrin Kombëtar si institucion. Gjendja në TKK, dhe kudo nëpër teatrot tjera në Kosovë, është e njëjtë me atë të kulturës në përgjithësi. Në qoftë se del një artist dhe më thotë se ne sot kemi gjendje të kënaqshme dhe të dëshiruar të zhvillimit kulturor atëherë unë do të pajtohesha me të.

EXPRESS: A është repertori i TKK’së joshës për publikun, sipas mendimit tuaj?

A. Krasniqi: Në këto vite kemi pasur një repertor me një laramani tekstesh, zhanresh e stilesh dramash. Realizimi i tyre në skenë gjithnjë është i diskutueshëm. Megjithatë, mendoj se në krejt këtë shumësi shfaqjesh ka pasur shfaqje të realizuar mirë dhe që kanë qenë joshëse për publikun. Është detyrë e menaxhmentit të TKK-së që të ofrojë realizime të shumëllojshme skenike me një nivel të pranueshëm artistik, pastaj i mbetet publikut që të përzgjedhë, ose më saktë, të vrapojë pas shijes së tij.

EXPRESS: Si drejtor i përgjithshëm, a keni pasur presion që t'ja humbni rëndësinë pozitës së drejtorit artistik?

A. Krasniqi: Jo, unë që në fillim i kam ditur kompetencat e mia dhe të drejtorit artistik. Janë kompetenca të ndara, që i përcakton Ligji. Derisa e kemi atë Ligj në fuqi duhet ta zbatojmë. Ditëve të fundit më ka rastis të lexoj për ndryshimin e Ligjit për teatrin, ndryshime këto që duhet të ndodhin patjetër. Por, fakti se me këto ndryshime po provohet që të preken pikërisht kompetencat e drejtorit artistik është gjë e papranueshme dhe rrezikon të cenojë lirinë krijuese në TKK. Ky ndryshim ka shkuar deri në atë masë sa që drejtorin artistik e quajnë udhëheqës artistik, dhe repertori bëhet i vlefshëm vetëm nëse merr miratimin e drejtorit të përgjithshëm. Pavarësisht garniturave qeveritare dhe atyre menaxhuese në TKK që mund të ndërrohen orë e çast, përzgjedhja e veprave artistike në teatër duhet të garantohet dhe të mbrohet nga çdo lloj ndërhyrjeje - politike apo klanore.

EXPRESS: Tashmë ka regjisor që thonë se koha më e mirë në TKK ka qenë në kohë të Tekiut, ose një vit i udhëheqjes tuaj, sesa ajo e Burbuqe Berishës apo edhe Lirak Çelajt?

A. Krasniqi: Nuk do të hyja në komente. Varet se kush prej regjisorëve e thotë këtë: Ata që kanë punuar në kohën time, apo ata që nuk kanë punuar?! Vlerësimin për angazhimin tim njëvjeçar e jep opinioni, shikuesit, ata që kanë parë shfaqje. Secili e ka meritën për punën ose mospunën në TKK. Këtu nuk bëj përjashtim as unë. Sepse as unë s’jam i pagabueshëm. Për atë kohë puna ka qenë ekipore. Sukseset dhe dështimet janë të përbashkëta me ata që kemi drejtuar.

EXPRESS: Mendoni se MKRS nuk po i jep buxhetin e merituar TKK?

A. Krasniqi: Jo veç tash, por ka vite që buxheti për TKK po stagnon. Nuk kemi rritje të ndjeshme. Kërkesat për punë krijuese artistike gjithnjë janë në rritje e sipër, ambicia e njerëzve për të punuar, veçmas e krijuesve të rinj, po shtohet dita-ditës. Prandaj, urgjentisht paraqitet nevoja për rritje të buxhetit, jo vetëm për TKK-në por për krejt jetën teatrore në vend. Kosova ka nevojë për ta zhvilluar jetën teatrore edhe jashtë ndërtesës së TKK-së, si produksione të pavarura, por edhe në teatrot profesionale të qyteteve tjera.

EXPRESS: Në shfaqjet e investuara, ka edhe shpenzime të tepërta. A arsyetojnë këto shpenzime kualitetin e shfaqjeve?

A. Krasniqi: Është politikë e menaxhmentit të TKK-së që të përcaktohet për mënyrën dhe sasinë e shpenzimeve për shfaqje.

EXPRESS: Në kohën tuaj i patët ndaluar edhe veprimtaritë përkujtimore dhe koncertet në TKK. Mos ishte kjo gjë arsyeja që, pas presioneve politik, ju u larguat nga pozita e drejtorit?

A. Krasniqi: Unë kam provuar t’i ndalojë. I kam reduktuar, por s’kam arritur t’i ndalojë plotësisht. E kam parë se politika është më e fortë dhe më e vrazhdë se sa ambicia dhe idealizmi për të shërbyer për artin dhe kulturën.

EXPRESS: Sot thuhet se shumë njerëz e shohin TKK’në si një vend ideal për të mbajtur protesta, apo edhe koncerte [të gjitha protestat pothuajse mbahen para TKK’së, në vend që të mbahen para Qeverisë ose Parlamentit]. Si artist, në radhë të parë, dhe si ish- drejtor në radhë të dytë, sa ju pengon kjo gjë?

A. Krasniqi: Vendi ku sot është godina e TKK’së është qendra e të gjithë manifestimeve paqësore, e shpesh edhe jopaqësore. Në të shumtën e rasteve kjo gjë e pengon punën krijuese që ndodhë brenda godinës. Jo që kjo mua më pengon, por e them me bindje të plotë, se tash më shumë se kurrë paraqitet nevoja për një hapësirë të re, dhe për një godinë të re të TKK’së. Diku jashtë sheshit të betejave politike, në një vend ku artistët do të krijonin dhe performonin në qetësi dhe rehati të plotës, ashtu siç ndodhë kudo në vendet e qytetëruara.

EXPRESS: Kjo gjë, ndërkohë, shtron edhe pyetjen se a po bëhet TKK shesh arene e shfaqjeve politike, apo shesh arene e shfaqjeve artistike?

A. Krasniqi: Për fatin tonë të keq, beteja politike po ngadhënjen kundrejt asaj artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›