E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antropo-anatomia e Privatesise

Njeriu me ardhjen në jetë e humb privatësinë, sepse qysh në çastin që del nga placenta e nënës, bashkë me këtë zbulim pafajësie i jepet shkas asaj që e pret në këtë botë, mamisë, të imagjinojë ëndrrën e prindërve të tij, aktin seksual të ngjizjes dhe gjithë atë marrëdhënie që krijon jetën! Mbuluar vetëm nga lëkura e trupit, ne nuk kemi, as qëllim, as forcë dhe as dëshirën më të vogël që të mos na shohin sepse na preket privatësia.
Secili nga ne nuk ndjehet i lënduar kur mendon se së paku njëherë në publik ose pranë pjesëtarëve të tjerë të familjes, gjiri i nënës është shfaqur i pambuluar për të ushqyer foshnjën. Madje ne si antropologji shqiptare kemi edhe një legjendë ku nëna kërkoi t'ia linin gjirin jashtë pa u turpëruar se do e shihnin udhëtarët aty pari, mjafton që kërthija që kish lënë pas, të merrte të ëmblin nënësor! Njerëzit në botë kudo ku jetojnë dhe kurdoherë që kanë jetuar, e kanë një moment sublim ku e falin privatësinë e tyre, është çasti kur njeriu zhvishet për t'u bashkuar me një trup tjetër falë asaj që vjen si një mrekulli njerëzore! Tek e fundit, të gjithë ne shqiptarët e humbëm privatësinë, ditën kur secili prej nesh morri si dokument identifikimi në marrëdhënie me botën globale "instrumentin çudibërës", pasaportën biometrike, "hapësin e dyerve" (passe partout - në shqip i themi çelësi kopil) të lëvizjes së lirë! Me atë ne pranuam se për të ndihmuar "luftën kundër krimit në tërësi, përfshi dhe terrorizmin ndërkombëtar", jemi të gatshëm të ofrojmë një bashkëpunim me organet e specializuara, duke u "vetëparagjykuar si të mundshëm", që mund t'i kryejmë këto vepra të dënueshme, dhe njëherësh pa u ndjerë, ne shfaqemi si humbësit e privatësisë, sepse në aspektin konkret, në çdo rast të kalimit të kufirit ne jemi të paragjykuar në ndershmërinë tonë morale e ligjore dhe në dashurinë për jetën! Interesi publik dhe ai antropo-global është bindës dhe ne nuk refuzojmë një paragjykim të tillë pozitiv. Tek e fundit, pjesa dërmuese e antropologjisë globale që nuk ka lidhje as me kriminalitetin dhe as me terrorizmin, e pranon me mirëkuptim një mbulim të tillë me skepticizëm pozitiv! Njeriu që nuk e ka "mizën nën kësulë", nuk e ka të nevojshme të kruhet! Përmbledhtazi mund të themi pra, se ardhja në jetë, mëkimi i saj, dashuria seksuale njerëzore dhe liria jonë si udhëtarë të fatit, paskërka si kusht lënien e privatësisë pa u turpëruar, apo pa na shkuar në mënd që të ecnim në një kah tjetër vetëm e vetëm që të mos e humbnim atë, "krejtprivaten", "të fshehtën", identikitin personal të siluetës së mbyllur, PRIVATëSINë!
Antropo-individi u shndërrua nga majmunoid në homosapjens përmes njohjes. Ai udhëtoi duke njohur veten dhe botën, e duke formuluar si askiom filozofike qysh në Antikitet, tezën që edhe sot është e pashterueshme si në përmbajtje dhe në funksionin e saj moral: "njeri njih vetveten"! Pranë kësaj "brinje të ngrehinës njerëzore" kohët e sotme moderne në ato që njihen si shoqëritë e liberaldemokracisë, sollën binjakun e thënies së universalitetit antik, "njeri ji vetvetja"! Ky dualitet bashkëpunues, është një formulë antropo-gnosologjike! Nuk mund ta dish kush je, po nuk e njohe veten! Nuk mund të thuash se e ke njohur veten, nëse nuk e pranon rezultatin e njohjes për veten, por edhe për të tjerët; pasi vetnjohja thjesht si një mbyllje, si një vetizolim, apo më keq akoma, si një mosshfaqje për të tjerët, është moralisht keqsjellje me njohjen, filozofikisht sjell dëmtimin e trinomit gnosologji-ontolgji-aksiologji. Dije, themi ne antropo-shqiptarët dhe ka në këtë fjalë një kompleksitet "sfinksian". Ky koncept në simantikën logjike e leksikore është edhe emër-dije, njohuri, koncepte të orientuara, por dije ne e përdorim edhe në kuptimin e njohjes, si procesi që e krijon dijen! Nuk ndodh kështu në gjuhë të tjera, por se ky është një problem që do të duhet të jepet i plotë në një arsyetim tjetër! Pa njohje nuk ka qenie dhe nuk ka vlerësim. Pa qenie nuk mund të shtrohet mundësia e njohjes dhe thellimit të saj, si një proces që ushqen vlerësimin. Pa vlerësim (akiologji) nuk mund të japim gjykim për saktësinë, shkallën e njohjes dhe për strukturat ekzistenciale fizike apo shpirtërore, që qënësohen në një enëzim komunikues me njohjen (onto-logos-fjalë dije për qenien, ekzistencën). Mbi këtë trinom ngrihet epistimiologjia! Përsiatja thelbësore që siguroi dhe vijon të shërbejë për të krijuar substratet teorike! Historikisht ne shqiptarët sado të izoluar kemi qenë, sado të mbyllur apo të fshehur, sado arrogantë dhe shpagues ndaj dikujt që e merrte "iniciativën aventureske" për të marrë vesh diçka nga "misteri i të fshehurës apo privatësisë", kemi qenë po ne që me mekanizma të konstitucionalizmit shpirtëror dhe kodeve zakonore, si dhe të formave të të sjellurit edhe në hapësira tejet të izoluara, kemi ditur të krijojmë në historinë tonë "shtigjet e ndriçuara nga kurioziteti" për të hyrë atje ku në pamje të parë duket ose mburremi se askush nuk hyn dot, dhe nuk ka tentuar të hyjë! E drejta zakonore, madje na habit pozitivisht sepse sa herë që ajo merret me raportin delikat por tejet thelbësor, marrëdhënien e njeriut me të vërtetën, tregon se përball pengesave frenuese, intuita njerëzore vendosi "rregulla autoritare" që lejonin verifikimin paçka se kështu mund të hyhej në "hapësira delikate", ku prekja e privatësisë do të vinte në diskutim nderin e personit konkret, familjes së tij apo të të gjithë fisit! Kur analizon ritualin e martesës, Georg von Hahn përshkruan me hollësi ceremonialin e dasmës dhe tregon se kur shkohej në shtëpinë e nuses, i pari që shkon tek dhoma e vajzës është vëllami."Vëllami hyn në dhomë të nuses për me i vesh asaj këpucët dhe e puth në buzë, kurse ajo i puth dorën. Pastaj ai i ngjesh rrypin dhe i vesh këpucët, në të cilat ka hudhë brenda oriz dhe pare, si shenjë të pjellorisë. Mbasi e mbaron këtë detyrë, kthehet prapë te burrat dhe lavdëron bukurinë e nuses me sa mundet"(Georg von Hahn, "Studime shqiptare", botimi shqip, faqe 203). Ceremoniali është kaq kompleks, sa që djali binte në shtrat me nusen pas tre ditësh, paçka se kjo lloj privatësie kaq e dëshiruar ishte e tyre! Antropologjia jonë historikisht ka lëvizur brenda një mekanizmi kundërveprues që përbëhet nga dy "agregate" njerëzore. Nga njëra anë, mbyllja, fshehja për shkak të jetës rurale dhe zonëmbyllur, (largësia ka qenë si një hapësirë lirie), dhe nga ana tjetër, po këta njerëz komunikonin vetëm në mënyrë orale sepse gjuha e shkruar ka ardhur vonë tek ne, pale komunikimi me anë të shkrimit, letra e letërkëmbimi, mesazhet apo mediumet e tjera të fjalës së shkruar! Ne u ndërtuam si antropologji rapsodike ndaj rrëfenjat, shpesh të stisura, të imagjinuara, apo të helmuara për të tjerët, krijuan botën e përrallave, të shpifjeve deri tek insinuimet bestyte! Krijuam dora-dorës një ritual sloganik, ku si dy "ushtri antropologjike" ishin përball, njëra me komandat gjeneralizmën, "çfarë do të thotë bota"???!!!; ndërsa tjetra me udhëheqës, një barbar orientalist "t'u thaftë gjuha deri në rrëzë"!!! Koha i mësoi njerëzit të takonin oportunitetin duke u përshtatur me këtë klimë, ndaj ata prodhuan disa "ilaçe", si p.sh: "çudia më e madhe, tre ditë zgjat" dhe një tjetër "medikament": "paratë dhe gjynahet nuk tregohen"!!! Kjo e fundit është medikament jokurues, por një prevenim ndaj opinionit dhe vlerësimit publik. Ndryshe, me fjalë më açik, kjo do të thotë: mos i trego paratë, mos i trego zullumet që lidhen me to! Gjynahet lidhen edhe me prapësitë që kanë të bëjnë me jetën dashurore dhe atë seksuale! Shpesh ata që donin të këshillonin kur shihnin ngasjen nga instinkte të tilla e që mund të prishnin fate dhe ëndërrime njerëzore, porosisnin zullumqarët me fjalët: "mos hyr në gjynah"!
Nuk u arrit që tek aktropinidvidi ynë të zinte vend dhe të bëhej udhërrëfyes, parimi civil, "çdo gjë që thuhet duhet të jetë e vërtetë, por jo çdo e vërtetë mund të thuhet vend e pa vend dhe me çfarëdo lloj personi"! Kujdesi për të vërtetën lidhet me një filozofi civile, me një edukatë morale, me një ndërgjegje të kultivuar juridike, antropo-kulturore e antropo-institucionale! Madje në shumë popuj ajo lidhet me trashëgiminë mijëravjeçare antropo-fetare. Në budizëm, pa të vërtetën e pranuar, bota s'është e drejtë. Në krishterim, fjalët e fundit të Jezusit në dialog me Ponc Pilatin, përball insinuatës së tij "po kujt i duhet e vërteta", Jezusi ju gjegj: "Thojeni të vërtetën, të ndiheni të lirë"! Edukimi fetar tek një antropologji me mozaik të tillë si edhe është, antroporeligjioni ynë nuk e ka penguar njeriun të krijojë një raport me të vërtetën edhe kur ajo ka ardhur si një vullnet absolut i gjithëfuqishëm në shërbim të moralit pozitivist njerëzor. E vërteta dhe kumti i saj u vra e u dogj në sistemi ideologjik komunist sepse pseudoshkenca u quajt shkencë, e vërteta personale u kolektivizua, dhe privatësia individuale u stigmatizua si një sakrilegj anti-ideologjik që mund të penalizohej deri në heqje lirie, sepse përbënte daljen nga rreshtimi politiko-klasor! Në atë ambient shoqëror totalitar vetëm kripto-kultura dhe kripto-religjionizmi si privatësi, e ndihmuan njeriun që të ruante humanizmin, duke mbajtur një raport të fshehur me të vërtetat që nuk i shërbenin sistemit që ngrihej mbi gënjeshtra ose pseudo-të vërteta të stisura, e që shërbeheshin si thelbe të procesit historik!
* * *
Tash 20 vite në një shoqëri të demokracisë si pjesë e pandarë e "lirive dhe të drejtave të njeriut" është edhe privatësia që e sjell antropo-personin pranë njëshit njerëzor si institucioni individ! T'ia prekësh qytetarit këtë gjë intime, krejt të vetën dhe të kufizuar në ato hapësira që morali dhe ligji i mbron si krejt personale, do të thotë që ndaj tij të gabosh moralisht e në raport më drejtësinë të kesh punë me ligjin! Kurioziteti thoshte Aristoteli e shpie përpara njohjen dhe e ndihmon njeriun, porse ky lloj gërmimi për të "hyrë atje ku nuk të takon" është jo vetëm e palejueshme por jo rrallë edhe me pasoja! Për më tepër kur në këtë lloj gjurmimi ngërthehen interesa gjithfarësh, nga ato komerciale deri tek ato politike e partiake të ngushta! është shkuar deri në skaje të tilla kur përball një presioni të tillë nga opinion apo media, njerëz me sedër të lënduar të mos e përballojnë situatën dhe t'i japin fund jetës me vetëvrasje! Dëshmorja e kohëve moderne në mbrojtje të PRIVATëSISë është Lady Diana! Ajo u vra nga hijet që i shkonin pas!
Njeriu nga natyra është i lidhur me forcat riprodhuese të materialit njerëzor është në raporte të vazhdueshme me kënaqësitë e ngacmueshmërisë dhe së fundi me kënaqësitë elitare "të ndjeshmërisë" si "përsiatja, mendimi, thurja e vargjeve, piktura, muzika, studimi, leximi, shpikjet, filozofia." Aspekti krijues edhe kur gjurmohet dhe sillet e shfaqet pa dëshirën e krijuesit për të tjerët, vërtetë është prekje e privatësisë, por se në kësi rastesh nuk ka shumë bujë dhe interesi i "arsenalit të gërmimit" tek privatësia e tjetrit nuk është se reket të shpenzojë energji! "Koha e lirë pa krijimtari-thoshte Seneka-është vdekja dhe varrimi i njeriut për së gjalli." Njerëz të tillë e kanë të shenjtë privatësinë, por nuk heroizohen apo bëjnë viktimën kur privatësia u preket dhe cënohet. Ata dinë të vlerësojnë, të injorojnë apo të falin! "Mistrecin" dhe viktim-heroin me privatësinë e cënuar apo të hulumtuar edhe brenda rregullave të lejuara, e bën në çdo rast dhe rrethanë FILISTINI. Ky është tipi antropologjik pa muza që merret seriozisht me një realitet që nuk ekziston! Kjo, sepse atë idealizmi nuk e zbavit dhe ai shpenzon energji dëshpëronjëse për të përzënë marrëzinë që e krijon po vetë! Nëse ai është një individ pa poste dhe detyra publike e shtetërore, askush nuk e vret mendjen dhe harxhon kohën t'ia njohë atij privatësinë. Ka interes, dhe mund të bëhesh objekt i kësaj këqyrjeje, shpesh bezdisëse, kur je person me funksione publike, je i punësuar dhe paguhesh nga taksa-paguesit, ose je i zgjedhur dhe të janë deleguar sovranitetet e zgjedhësve! Në këto rrethana vigjilenca mbi ty, mbi çdo veprim apo sjellje tënden, duket sikur vjen përmes një lupe zmadhuese që këtë lloj ridimensionimi e ka sëmundje jashtë së cilës nuk jeton dot! Dy janë thembrat e dobëta "hakiliane" të një njeriu me pushtet apo imunitet, pasuria materiale dhe ajo ekonomike-financiare si dhe marrëdhëniet morale familjare, si dhe raportet seksuale jashtë martesore. Askush nuk do të hetonte mbi një privatësi të tillë si ëndërrimet, përdëllimet, apo hamendësimet! Këto lloj "materiesh" nuk e kanë gjembin e provokimit të opinionit!
Kur Jul Cezari u shpall senator nuk u gëzua, më mungojnë dy gjëra i tha të jëmës. paraja dhe pushteti! Paraja dhe lavdia tek njeriu për njerëzit që përfundimisht e kanë braktisur idealizmin që është "i pashtershëm dhe pa rrezik" bën që ata të mbeten peng të një realiteti që nxit pa pushim një "pafundësi të këqijash." "Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më shumë ke etje. Kjo vlen edhe për lavdinë"(Artur Shopenhauer, "Këshilla për jetën", botimi shqip, faqe 39).
Homo-economikus që prevalon sot mbi të gjitha strukturat e tjera të antropoindividit në shtresa të ndryshme të nivelit ekonomik shpërfaq interesa dhe pozicione të ndryshme. është ndryshe ai që përballon jetën dhe krejt i dallueshëm ai tip antropologjik që pasurimin makutë dhe pushtetin për lavdi e ka shndërruar në mënyrë të jetuari! Me këta dy instrumente ky tip antropologjik shpenzon energji dhe mjete të tjera vetëm e vetëm që të ushqej atë dobësi të veçantë të natyrës së njeriut, të qenit i vlerësuar nga të tjerët. Atij i pëlqen që t'ia llastojnë krenarinë, t'ia vadisin mendjemadhësinë dhe t'ia lavdërojnë aftësitë apo atributet që i është mbushur mendja se i ka krejt të veçanta! Ka një vijë dalluese mes krenarisë dhe mendjemadhësisë. "Krenaria është bindja që kemi për vlerat tona superiore, në çfarëdo lloj kuptimi, mendjemadhësia është dëshira për të nxitur te të tjerët bindjen se ne kemi vlera dhe në përgjithësi është e shoqëruar nga dëshira për të bindur edhe vetveten mbi këtë fakt. Krenaria vjen nga brenda, ndërsa mendjemadhësia është dëshirë për të arritur një vlerësim të tillë së jashtmi, pra tërthorazi. Prandaj, mendjemadhësia na bën llafazanë, ndërsa krenaria na bën të heshtur. (Artur Shopenhauer, "Këshilla për jetën", faqe 51, botimi shqip.) E çuditshme, por është fakt një pështjellim kundërthënës. Kur njohja e privatësisë së tjetrit lidhet me anët pozitive të tij, sjellja e tyre si fakte të zbuluara ndaj publikut ose si realitete të hapura të "deprivatizuara" nuk bëjnë personin e cënuar të reagojë! Ai ndjehet i mikluar dhe tipave të tillë ju përkëdhelet krenaria. Askush në koherencë me privatësinë nuk proteston duke thënë - "faleminderit" për evidentimin pozitiv por më "fal" se do të kërkoj të ndëshkoheni se më keni prekur "privatësinë" time që e kam të shenjtë-! Krejt në të kundërtën, kur "syri i jashtëm" e vëzhgon duke ja nënshtruar analizën një prizmi që zbërthen të gjithë ngjyrimet e brendshme strukturore përfshi dhe hijedritën, dhe prej këtij hulumtimi kapilarë dalin hapur për publikun të gjitha vlerat e munguara, aspektet negative të personit, dobësitë e tij të karakterit, mungesa e integritet moral dhe grykësia për para apo maniakllëku seksual, ose thjesht dobësi që kanë të bëjnë me një shpirt-vogëlsi thumbuese; "këto njolla" e trembin pronarin e tyre. Ai mendon se ato mund ta pengojnë në ngjitjen e tij të mundshme në rrugën e karrierës. Ja përse ky person, që kalon në këtë lloj skaneri, menjëherë nervozohet! Ai reagon dhe përpiqet të riparojë dëmin me çfarë do lloj mjeti. Privatësia, lëngon ai më është shkelur, më është dëmtuar imazhi më është dhunuar jeta private dhe për të gjitha këto "arsye" personi përgjegjës do duhet të më dëmshpërblejë-! Krenaria e mikluar nuk bënkërka dëm! Krenaria e lënduar refuzohet! Pavarësisht se në të dy rastet është penetruar tek privatësia e personit! Aq e vërtetë është kjo sa që ndodh që për të rritur kredencialet ose për të treguar karakterin popullor apo për të trajtuar veten si të zakonshëm, "unë jam njëri nga ju, unë jam një si ju", njerëzit me pushtet nuk ndalen të tregojnë edhe në media intimitete që janë aspekte të privatësisë së tyre! Këtë lloj marketingu ata nuk e shohin të dëmshëm dhe jashtë normave morale! Qëndrimi ndaj privatësisë nuk është i njëjtë tek njerëz të ndryshëm! Tek njeriu i pasur ekonomikisht dhe me pushtet që ushqehet me egoizëm dhe mendjemadhësi, kjo lloj tejdukshmërie që sjell për sytë e publikut anët e tij të dobëta e që mund të jenë të strehuara apo të ambalazhuara tek "privatësia", vjen si një rrufe që do të duhet të shmanget ose më mirë t'u rikthehet atyre që e kanë hedhur mbi të. Në të kundërt tek njeriu pa pasuri, pa pushtet, pa egoizëm, nuk bën përshtypje nëse mizerja e tij që është pjesë e jetës private apo privatësisë njerëzore bëhet evidente edhe për të tjerët! Njerëzit në nevojë apo njeriu mesatar, nuk është e vërtetë se nuk kanë dhe nuk kujdesen për dinjitetin e tyre, apo për dinjitetin njerëzor! Le të përpiqemi ne të sjellim një kundër-argument përball gjestit të atij romit në Vlorë që rrëmonte në kazanët e plerave dhe kur aty gjeti një foshnje të braktisur e morri dhe po e ritë bashkë me fëmijët e tij duke ndarë me të si varfërinë edhe dashurinë për jetën. Ndryshimi mes dy tipave antropologjik qëndron në faktin se ata -njerëzit e zakonshëm që nuk brehen nga egocentrizmi dhe etja për pushtet, nuk kanë frikë ta tregojnë mizerjen, pafuqinë apo vesin e tyre dëmprurës! Aristokracia ka frikë nga njohja e hapur e pjesës së tyre që mund të zhgënjejë! Bëhet një kujdes ekstrem që "farfuria e porcelanit të tyre të mos cifloset" ose të mos dallohet! Vuajnë nga një përdëllim i brendshëm për të qenë për sytë e jashtëm si të përsosur deri në kufijtë e të pabesueshmes. Ndryshimi mes tipit antropo-transparent (njeriu që shfaq edhe anët e dobëta) dhe tipit antropo-i mbyllur (njeriu që fsheh mefistofelizmin e tij) është një formë strukturore e njeriut me veten. Ka nga ata që kanë frikë nga vetja për ta pranuar ashtu si janë, ka të tjerë që nuk e kanë këtë fobi. Ata nuk bezdisen që të mirëpresin në "terrenin e privatësisë" së tyre! Të pranosh dhe anën tënde jo të mirë kjo është pjesë e mirësisë njerëzore. Të fshehësh anën tënde jo të mirë do të thotë t'i largohesh mirësisë njerëzore. Njerëzit që vuajnë natë e ditë se mos dikush ju zbulon "mëkatet" që strehohen në "bunkerin e privatësisë" të kujtojnë atë tregtarin kinez që si e përshkruan Monteskie tek vepra e tij e shquar "Fryma e ligjeve", mbante tre peshore. Një peshore për të blerë ku ja hidhte shitësit duke i marrë më shumë dhe duke paguar më pak. Një peshore për të shitur ku kandari anonte nga ana e tij. Dhe, një peshore të saktë kur i vinte kontrolli!
"Poshtërsia jonë si e keqe, si egoizëm njerëzor është e "mirë", aq sa ndihmon të shfaqemi dhe të shpërfaqemi përpara se të ikim nga kjo botë me makthin e frikshëm se me që kemi gënjyer dhe besojmë se të tjerët nuk na e kanë kuptuar, ne ikim ashtu si do të duhej të na pranonte klisheja e moralit si autoritet vlerësues. Ikim duke menduar se bota jashtë nesh nuk e ka njohur pjesën tonë të padukshme. Duke fshehur pjesën e padukshme nga sytë jashtë nesh, ne mendojmë se nuk na kanë njohur. Na dinë ndryshe. Mestifolizmi ynë nuk mund ta pranojë këtë shtirje, ndaj, qoftë edhe në një rast, ai na vë në ngasjen e shfaqjes dhe të të vetrealizuarit ashtu si jemi, apo në lidhje me atë pjesë të qenies që kemi frikë ta pranojmë hapur para të tjerëve dhe botës. Por, ajo pjesë në trajtën eterike e nxit mendjen dhe përjetimin tonë. E përcakton sjelljen, qëndrimin, vlerësimin dhe marrëdhëniet, sado që ne të hiqemi se nuk ndodh kështu, se nuk e kemi atë brenda nesh, si pjesë integrale. Dukemi si qenie e keqe që fsheh defektin për sy të botës megjithëse atë anë të tij tinëz e do dhe përgjërohet më shumë. Goethe kumton tek Fausti se dikotomia jonë është ekzistencë dhe jo absurditet, është e moralshme ta pranosh dhe amorale të mos e shfaqësh atë"(Përparim Kabo, libri "Tingull", botimi shqip, faqe 412-413, shtëpia botuese "Plejad"). Shkurt dhe shkoqur ana e jashtme e njeriut sado e korrektuar dhe e përsosur të duket apo të tentojë të shfaqet si e tillë, është po ajo që të fton të futesh tek ajo që nuk duket ose që emërtohet PRIVASI, pra tek ajo "hapësirë" private që tjetri nuk ka të drejtë ta këqyri apo sodisë! Askush nuk bëhet kurioz kur ti nuk e bën veten të tillë! Askush nuk guxon të të prishë qetësinë në privatësinë tënde nëse ti me joprivatësinë tënde nuk e provokon një preokupim të tillë! Askush nuk riskon të "lundroj" në ujërat e rrezikshme të privatësisë së tjetrit sa kohë që ti vetë nuk je për të "fari" orientues dhe "busulla" e drejtimit! Ndryshe nëse kjo ngasje apo preokupim do të qe për këdo dhe kurdoherë, atëherë shoqëria në tërësinë e saj e përfshirë në patologjinë "të gjithë të zbulojmë privatësinë e të gjithëve" në pikëkufirin e fundit do ta zhvirgjëronte përfundimisht "tabunë" privatësi dhe asgjë nuk do të mbetej më e fshehtë, personale, jo publike! Kujdesi dhe respekti për privatësinë në një shoqëri demokratike të emancipuar nuk është kurajo apo sakrifica e një apo disa të dëmtuarve për ta konservuar atë me çdo kusht, si edhe nuk është përdhosja e saj sepse do dëshironim të bënim zbulime të bujshme që do të na shpëtojnë shoqërinë nga gjëma. Të dish të sillesh moralisht dhe ligjërisht më privatësinë si një individ civil i ligjit kjo është pjesë e demokratizmit të përgjithshëm si kulturë njerëzore! Vetëm një sistem i tillë që rrugëton përmes "demokratizmit të demokracisë" e ruan individin dhe kujdeset për të! Edhe kur loja me privatësinë e kalon masën dhe mbetet preh e teprisë apo abuzimit, e gjithë kjo situatë është edhe si produkt, edhe si argument i (pa) pjekurisë së demokracisë në shoqërinë në tërësi! Kësisoj, jemi të gjithë në provë pjekurie! Do duhet të edukohemi për t'u çliruar nga pengesat që shekujt na kanë lënë. Njerëz që më të sinqertë janë kur urrejnë dhe shajnë, se sa kur lëpihen dhe hiqen sikur të duan, fatkeqësisht janë ende pengje të një epoke që koha si kronos i ka kaluar, por se ora substanciale i ka mbetur pas! Këta nuk preokupohen demokratikisht për privatësinë! Ata janë në pellgun mesjetar të ujit të ndenjur! Gjuetia e tyre kundër "inkuizitorëve" (kështu stigmatizohen ata që investigojnë për motive publike në këtë aspekt) të privatësisë me qëllim që të "dëmtuarit" me pushtet shtetëror apo me pushtet paraje të sigurojnë "indulgjenca" në gjykata apo akte penalizmi kundër tyre, flasin për mungesën ende të gjurmëve pozitive në emancipimin e demokracisë. Ato shprehin më së tepërmi mbetjet e hakmarrjeve primitive që ushqehen nga e kaluara dhe që pengojnë ndërtimin e individit si institucion luajal me veten dhe po i tillë me publikun, sepse nuk është i gënjeshtërt me të vërtetën dhe detyrimet si servant publik!
* * *
Privatësia është çështje kulture. Një ditë në aeroportin e Tiranës, një mjek i njohur mik imi, më prezantoi me një mik të tij francez. Ky i fundit më njohu me dy fëmijët e tij, djalë e vajzë 19 e 18 vjeç që i kishte adaptuar në Shqipëri në hyrje të viteve 90-të, njërin nga Vlora dhe tjetrën nga Elbasani. Fëmijët ishin braktisur në atë kohë nga dy vajza të reja që kishin mbetur shtatzëna jashtë martese. Tani që fëmijët qenë rritur dhe ati francez ju kishte treguar historinë, motër e vëlla prej babe adaptues, kishin ardhur në Shqipëri të takonin nënat biologjike. Por se familjet e tyre dhe vet nënat dhanë përgjigje negative. "Mos na shqetësoni se kjo punë është mbyllur dhe nuk di gjë njeri!" Unë më tha mjeku bëra një gabim të rëndë, duke i sugjeruar mikut francez të jepte një përgjigje justifikuese, si fjala vjen nënat kanë ikur jashtë Shqipërisë. Por, se babai francez ishte përgjigjur."Unë nuk mund t'i gënjejë fëmijët e mijë! Ndërsa fëmijët kur morën vesh qëndrimet e nënave të tyre, kishin thënë. "I falim do të provojmë përsëri një herë tjetër!" Kjo lloj privatësie tek antropologjia jonë, tregon se ne jemi ende një shoqëri e mbyllur dhe se kemi frikë nga liria, nga vetja, dhe nga gabimi njerëzor! Dukemi si "të hapur", por se sërish jemi pengje të vetizoluar tek "PRIVATëSIA" si streha e fundit e një antropologjie jo borgjeze, jo civile!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›