E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika në sektorin e Kulturës

Dr. Kesiana Lekbello

Kultura është një pasuri jo vetëm shpirtërore, por edhe ekonomike e një vendi. Personalisht më vjen  keq që akoma tek ne qeveria nuk e ka kuptuar dhe vazhdon të mos e kuptojë zhvillimin e këtij proçesi si kusht serioz dhe të domosdoshëm për të ndryshuar një herë e mirë dogmat e prapambetura të mentalitetit politiko-shoqërorë në vend. Parametrat që zbatohen sot tek ne në sektorin e kulturës, shikojnë nga afër propagandën  e punës drejtuese dhe jo modelin profesional që duhet të përfshijë sektorin kulturë në tërësinë e tij. Kudo po të hedhësh sytë, jo vetëm tek strukturat muze, por edhe tek sektori monument dhe ambjent, gjëndja e vlerësimit dhe e ruajtjes së të Mirave Kulturore është jashtë mase e mjeruar. Mungon akoma tek ne mentaliteti për të vizituar një Muze, një rrënojë arkeologjike apo një kështjellë Mesjetare. Ndoshta ky mentalitet në popull nuk është i kultivuar, sepse mungesat e financimit tek sektori kulturë  – në rënie të thellë- lidhen drejtpërdrejtë edhe me mungesën e një stategjie pune, e cila nuk është aspak bashkëkohore. Edhe pse se kultura është një sektor jo vetëm kulturor, por edhe ekonomik, ajo prapseprapë nuk konsiderohet si e tillë, madje qëllimi kryesor i saj nuk kuptohet plotësisht, nuk konceptohet në mënyrë të drejtë esenca e saj prodhuese për të mirën e shtetit, i cili ka si detyrë jo vetëm kulturimin e shoqërisë nëpërmjet arsimit dhe gjuhëve të huaja, por edhe sidomos nëpërmjet organizimeve kulturore me spesor të konsiderueshëm në ngjarjet edukative-kulturore. Debatet që dëgjojmë, shikojmë dhe lexojmë i përkasin një mentaliteti të kaluar, i cili vazhdon me të njëjtën frymë përkushtimi pa pasion, si rrjedhim debatet përfundojnë në një dështim të plotë.Kushe mëson qytetarin të dijë, të vlerësojë dhe të ruajë të Mirat tona Kulturore?  Berati, Butrinti dhe Gjirokastra mbrohen nga Unesco dhe këtë fakt e dinë të gjithë, por  Shqipëria nuk është vetëm kjo!  Këto kohët e fundit po flitet pa kriter për monumentet, për pavionin e krimeve komuniste, për bunkerët që duhen shkulur, për kështjellat, të cilat tashmë të kthyera në Restorante dhe lokale nuk luajnë aspak rolin e tyre primar.  Nëse duam të trajtojmë seriozisht këto argumente, pra mbi vlerësimin dhe ruajtjen e të mirave kulturore, është e nevojshme të nisemi nga një arsyetim objektiv dhe metodologjik studimor.

Përsa i përket strukturës Muze: së pari, sa persona në vit frekuentojnë strukturat Muze në Shqipëri, 2%, 10%, 20%…? Qeveria e  nxit popullin të shkojë në muze ose të paktën a preokupohet për ta zhvilluar këtë sektor kulture? Përgjigja ka defiçitin e saj të pakundërshtueshëm. Dikush mund të thotë, aty e kemi mëndjen ne tek muzeu. Sigurisht kur askush nuk të ka edukuar për të kuptuar çdo të thotë vajtja në muze, unë popullit i jap të drejtë nuk ka pse të shkoj në muze.  Duke i njohur personalisht nga afër strukturat muzeore në Shqipëri, nuk kam fjalë optimizmi për të shprehur. Që në hyrje mungon guardaroba, mungon një përshkrim për ecurinë kronologjike të muzeut, nuk ka një broshurë për të ditur veprat që janë ekspozuar, gjë që shërben edhe si reklamë për muzeun. Nuk ka një metodologji ekspozimi për një studioz që kërkon të dokumentohet, nuk ka një sallë leximi, nuk ka një strukturë bashkëkohore, nuk ka një ndriçim të vërtetë tek veprat e ekspozuara, nuk ka një video riprodhuese mbi historinë e muzeut, nuk ka një librari bashkëkohore në muze etj etj etj.

U hap tani pavioni i krimit komunist;  a munden 10 letra apo 10 pranga apo 5 bluza të grisura të shpjegojnë një 50 vjeçar të dhimbshëm?  Ideja nuk është e gabuar, por si vihet në zbatim kjo ide është jashtë mase mediokre, është thjeshtë një propagandë politike dhe jo demostrimi i fakteve historike të thelluara që kërkojnë një arsyetim dhe një shpjegim objektiv të detyruar. Thjesht një pavion i krimeve komunist mungonte dhe u bë, i përciptë, i cili me titullin që mbart rrevolton më tepër njerëzit kundër komunizmit, nuk i shpjegon aspak atyre qëllimin e vërtetë të proçesit historikë, madje nxit popullin të mos reflektoj si u arrit ajo periudhë dhe çfarë mësimesh duhet të nxjerrim falë edhe muzeografisë dhe muzeologjisë bashkëkohore. Nuk po dua të nadlem për vendin ku realizohet pavioni dhe si realizohet pavioni; çfarë ekzistonte më parë tek kjo sallë?  Ku ndodhen sot pjesët historike të ish sallës së vjetër etj etj.  Propaganda është e shkëlqyer, kështu ne ecim përpara, na rroftë propaganda se thellësia e probleme muzeologjike nuk ka intereson.

Një pyetje kisha për zotin kryeministër: përse hapni pavionin e krimit komunist, kur nga ana tjetër dëshironi të zhdukni bunkerët e komunizmit?   Nëse dëshirojmë të reflektojmë mbi të kaluarën e diktaturës komuniste duhet të kuptojmë që ajo është e rrënjosur edhe tek ambjenti ynë. Ne nuk arrijmë të kuptojmë çdo të thotë nga ana kulturore zhdukja e bukerëve; nuk thellohemi aspak, japim këshilla, mendime pa arsyetuar.  Bunkerët janë arkeologjia e periudhës së diktaturës komuniste. Mund të zhduket archeologjia? A po kërkon qeveria të flasë për të kaluarën komuniste, bunkerët a janë e kaluara komuniste a nuk janë forma më domethënëse e një diktature që kërkonte tu vetëmbronte?  Sigurisht që po, atëhere përse të zhduken?! Lexues të nderuar mendoni çdo të thotë të kesh një muze të tërë të rrënjosur në tokë dhe ta zhdukësh!!! Vërtet u prish Muri i Berlinit, por Gjermania ka lënë akoma si fakt historik në mes të KryeqytetitBerlinkilometra  murë të pa prishura sepse kjo është HISTORIA. Nesër kur ti shpjegojmë fëmijve tanë arsyet e 50 vjetëve diktaturë kemi nevojë për qindra mijra dokumenta, qoftë ato edhe bunkerë të rrënjosura në tokë.

Zoti Kryeministër ju lutem merruni seriozisht me problemin e Kulturës, jo me një pavion që sot ekziston nesër nuk vlen më, lejoni të flasin faktet -  bunkerët të tregojnë historinë që meritojnë dhe që për Ne si popull do të thotë aspekt kulturor. Përse nuk e kuptojmë, përse???

Nuk mund ta mbyll këtë shkrim edhe pa përmendur problemin e kështjellave. Reflektoj si person civil dhe mbi të gjitha si studiuese. Nga panorama e kështjellave mesjetare që ekzistojnë në vendin tonë të gjitha këto struktura janë kthyer në restorante dhe lokale. Skandal i vërtetë. Lexojmë që të jemi të saktë;  Kalaja e Shkodrës, Restorant;  Kalaja e Lezhës,  Restorant, Motel, etj (projekt);  Kalaja e Krujës, Restorante; Kalaja e Prezës,  Restorant; Kalaja e Ndroqit,  Restorant (projekt); Kështjella e Petrelës,  Restorant; Kalaja e Durrësit Torra, Klub; Kalaja e Elbasanit,  Restorant;  Kalaja e Tepelenës, Klub; Kalaja e Lëkurësit,   Restorant.  Nuk po flas për restaurimin sepse duhet një shkrim tjetër. Mëshirë është edhe restaurimi. Të gjitha këto Monumente me Vlera të jashtëzakonëshme janë dhënë me qera nga Shteti për tu kthyer në qendra Ngrënëse.  Kulturë ku je! Ndihmë!

Akoma më keq mendohet që  nga lista e MTKRS-së të jepen me qera monumente të tjera; Kështjella e Porto Palermos;  Kullë tjetër në Kalanë e Elbasanit;  Kalaja e Bashtovës;  Hamamet e Durrësit, etj. Nuk dëshiroj ti jap mend askujt, dëshiroj të them vetëm mendimin tim si eksperte, sepse konkretisht në këtë moment kemi organizuar ekspozitën e jashtëzakonëshme tek struktura Kështjellë-Muze në Itali (nuk ekziston as edhe një barë brënda kështjellës dhe jo më restorant, nuk konceptohet), ku pikturat e artistëve më të shquar të çdo kohe, nga Tiziano, Canaletto, Vermeer, Picasso, Kandinskij, Matisse, Mondrian, Monet etj, vizitohen  nga qindra mijëra qytetarë, familje, dhe sidomos shkolla dhe kopshte, turista të huaj dhe sidomos të gjitha istitucionet shtetërore me personalitete e tyre. Nuk nevojitet të flas më tepër; kulturës i shërbejnë sigurisht financimet që ajo të zhvillohet, por mbi të gjitha kulturës i shërbejnë njerëz të ndjeshëm, të apasionuar dhe të formuar profesionalisht. Kultura tek ne mbi të gjitha ka nevojë për një mentalitet të ri politik dhe shoqëror, pa kulturën në tërsinë e saj Supreme (360°) vështirë se ndryshojmë rrënjësisht.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›