Tallja cinike e Ramës me ish- të përndjekurit, bën Gramoz Ruçin “avokat” të kauzës së tyre
Nëse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, atëherë hipokrizia i ka këmbët e gjata, njëlloj si të Edi Ramës. Kryetari i Partisë Socialiste thotë se po thyen akullin që ka mes PS dhe të përndjekurve të diktaturës. Mirëpo “akulli” që ndan PS nga mijëra shqiptarë të persekutuar nga nëna Partia e Punës vështirë se mund të thyhet kur në krah të djathtë të Ramës gjendet ish-ministrit i fundit i Sigurimit, Gramoz Ruçi. Sigurisht akulli thyhet kur kërkohet falje për varjet, vrasjet, burgjet, internimet që kanë sjellë baballarët e atyre që janë sot në nivele drejtuese të opozitës socialiste. Dhe jo duke thënë se PS-ja nuk është Partia e Punës, edhe pse është e qartë edhe sot trashëgimia e saj në njerëz dhe mendime.
Kuptohet vetiu, më shumë se një thyerje akulli, duket se një tentativë përdhosje të çdo kujtese dhimbjeve të ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Sepse duke ashiqare tallje cinike që deputetë socialistë të cilët kanë po ato mbiemrat të ish-anëtarëve të Komitetit Qendror apo pjesëtarë të Bllokut të flasin për fatin e integrimin social të të persekutuarve. Është fakt i njohur dhe besoj s’e mohon njeri që në Partinë Socialiste janë ulur sot këmbë kryq jo vetëm i biri i Kristaq Ramës, Xhelil Gjoni i ri, Sul Bushati i ri, Bilbil Klosi i ri, Beqja i ri, Shamku e re, por së bashku me anëtarët e vjetër të nomenklaturës komuniste Ruçin, Doklen e Gjinushin kërkojnë zyrtarisht një “rilindje shqiptare” për vendin, por realisht mendojnë një rilindje komuniste.
Afërmendsh kur Edi Rama flet nga pozita e PS për ish-të përndjekurit është sikur bijtë politikanë të Gebëlsit apo Hitlerit të flirtojnë politikisht në rajonin e Aushvicit ose në Mathauzen duke kërkuar vota në dhimbje. Nuk mund të mos vësh re faktin se kemi të bëjmë me kulmin e përbuzjes së demokracisë nga një njeri që do të sjellë “rilindjen e re” me xhelatët që donin t’i prisnin këmbët po asaj demokracie shqiptare. Gjithsesi kjo ishte e papritur, por jo e jashtëzakonshme në një vend si Shqipëria, ku harrohet më lehtë sesa mendohet, apo reflektohet mbi komunizmin. Gjeste të tilla të pamenduara janë thjesht injektime kolere në kujtesën tonë.
Megjithëse duhet të kemi kujdes moral të ashpër për këtë puç moral që u bëri Partia Socialiste ish të përndjekurve duke kërkuar dhe përfaqësimin e tyre. Nuk është hera e parë që individë gjenetikisht të modifikuar tentojnë të thyejnë barrierën që u ka ngritur demokracia këtyre fenomeneve revizioniste. Revizionizmi i vlerave dhe përzierja e tyre në një tenxhere alumini është një ushqim i keq për shpirtin e vërtetë demokratik. Është shumë i qartë angazhimi i një shamani politik, madje jo shumë i ri, i cili kërkon të na mashtrojë thekshëm me iluzionizma groteske iniciativën e shartimit të një trungu vlerash demokratike me një degë vlerash të dobëta komuniste. Këtë kërkoi të bënte kryetari i PS-së Edvin Rama kur në banketin e tij na parashtroi dje në tryezën e Grupit të Punës për të Përndjekurit harronte të kujtonte një figurë të helmatisur të regjimit të kaluar.