E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika nuk është mëkat!

Share

Nga Jona Dervishi

Dëgjojmë vazhdimisht epitete e krahasime nga më të ndryshmet në lidhje me termin aq shumë të lakuar “politikë”. Krahasime nga më denigrueset, saqë shpeshherë të pohuarit se merremi me politikë në sytë e paragjykuesve na vesh me një petk të qëndisur mëkatarësh! Termi politikë në sytë e shumë njerëzve s’është tjetër veç një fenomen negativ dhe fitimprurës në kurriz të popullit për përfitim personal dhe rrënim të të tjerëve. Ajo ç’ka më bën të më vijë keq është pikërisht të ngatërruarit të politikes si fenomen në vetvete me politikëbërësit aktualë.

Sado i mrekullueshëm të jetë një skenar, fati i veprës artistike është në varësi të regjisorit që do ta hedhë në skenë dhe është e domosdoshme si puna e regjisorit ashtu dhe mjeshtëria e aktorit që vepra të dalë me sukses, ndryshe dështimi është i garantuar. Këtë marrëdhënie ka dhe politika me politikëbërësit! Mu kujtua shprehja e famshme e Baba Tomorrit në veprën e madhe “Përralle nga e kaluara” teksa thoshte “Ligji në dorë të Maliqit”! (dhe ku tregohej që ligji mund të jetë i ashpër ose i lehtë vetëm në varësi të atij që ka kompetencat përkatëse te te ushtruarit). E pra ashtu si ligji në dorë të Maliqit dhe politika dashur padashur merr formën e atyre që e posedojnë, se në fund të fundit ç’faj ka topi që nuk shënon gol futbollisti se ka shitur ndeshjen! Ndaj kur i referohemi politikës në përgjithësi gjithçka është e varur me politikëbërësit, veçanërisht me ata që kanë shtetin dhe praktikisht pushtetin! E duke iu referuar kësaj logjike kaq spontane dua tu drejtohem atyre te cilet me shumë fanatizëm shprehin urrejtje dhe menefregizëm përkundrejt politikes. Për më tepër të rinjve të cilët nuk e kuptojnë se sa më shumë e urrejnë politikën, aq më e ndërlikuar do të bëhet jeta për ta…

Pasi kur je i ri shpesh here ndodh të gjendesh në kryqëzime e labirinte pafund! Vrapon nëpër lëndina ëndrrash e përhumbesh nëpër humnera zhgënjimesh, jeton ndërmjet reales dhe abstraktes imagjinare, ose thënë thjesht siç thonin qëmoti “I riu si veriu”.

Ajo që unë mendoj është se me origjinalitetin dhe pastërtinë që mbart i riu politika do ishte kthyer në një mision te bardhe, në motiv shprese dhe frymëzimi. I referohem këtu fillimisht vetes time si një e re qe aspiroj të merrem me politikë, e kur them “të merrem me politikë” nuk i referohem vetëm faktit të të bërit karrierë, por të kontribuarit e të ngriturit zë kundrejt asaj që shkon keq, kundrejt asaj që është lënë në dorë të krijuesit, kundrejt asaj censure që na është vënë mbi krye si një kurorë me gjemba ashtu siç ju vu Jezusit kur u dënua mizorisht për mëkatar dhe blasfemues. E njëjta kurore paralizuese iu është vënë sot mbi kokë të rinjve dhe çdo individi, i cili mendon e vepron ndryshe nga ajo ç’ka quhet e “drejtë” nga vete politike-beresit ne pushtet, ose siç me pëlqen ti pagëzoj, nëse i referohem kurorës me gjemba të jezusit “Kurorë-vënësit”

Unë dëshiroj tu drejtohem bashkëmoshatarëve të mi që kurrë mos ta shohin politiken dhe politikëbërjen si një rit apo magji të zezë, e cila çdo gjë që prek e nxin dhe helmon. Politika nuk është ajo mynxyrë që shohim nga kurorë-vënësit aktual, nuk është ajo censurë e madhe gjigante që të cenon lirinë e të shprehurit, ku çdo fjalë-ngritje shihet si kryengritje, e ku çdo manifest a protestë e nisur paqësore merret si një atentat ndaj kryeministrit, apo ku gazetarët në shërbim të detyrës së tyre fisnike, e shpesh herë të rrezikshme, shihen dhe gjykohen si organizues apo pjesëmarresit e asaj që aq turpërisht e quajtën “puç”. Absolutisht politika në thelb nuk eshte kjo. Absolutisht politika e mirfillte nuk eshte ajo ç’ka përfaqësojnë sot ata qe kane shtetin e pushtetin, politika e vërtetë është e bukur, e frytshme dhe frymëzuese, është ajo ç’ka vendos rendin dhe rregullon jetesën, është motivi që ngjyros dhe begaton jetën tonë çdo ditë e më shumë. Pra nuk është politika ajo që po e fundos dhe e ka futur vendin tonë të dashur në një krizë pa krye, por është të mos bërit politike, pasi kurorëvënësit tanë bëjnë çdo gjë, por vetëm punë jo!

Do dëshiroja ta mbyllja pikërisht me një thirrje historike të Churchill “Never ever Give up”!


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›