E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urime, Bert Ndrenika!

Mund të duket e pabesueshme, po në Presidencë, dje, kur aktori i mirënjohur Bert Ndrenika u nderua me titullin e lartë “Nder i Kombit”, nuk kishte kamera, nuk kishte gazetarë e kronistë nga asnjë televizion apo gazetë. Nuk pashë as gazetarë të kulturës, çuditërisht as drejtorin e Teatrit Kombëtar, po në të kundërt kishte jo pak artistë, skenaristë, dramaturgë e regjisorë, nga më të shquarit. Jo pa hidhërim u detyrua ta përmendë mungesën e mediave edhe Presidenti i Republikës, zoti Topi, në fjalën e rastit, si i zënë në faj: Si e shikoni, këtu po regjistron vetëm kamera e institucionit…Në bisedë me të ai na tha që Presidencës i janë shkurtuar fondet, aq sa nuk i jepen financime të mjaftueshme për të porositur dekoratat, me të cilat do të nderohen artistët dhe njerëzit e shquar…Por ajo që shumëkujt i bëri më shumë përshtypje ishte bojkoti i mediave të varura e të pavarura, të cilat, edhe kur i filmojnë këto veprimtari, në shumicën e rasteve, si na u tha në intimitet, nuk i transmetojnë…
Vështruar me sy të ftohtë dy mund të jenë arsyet pa arsye: 1. Ose mediat i nënvlerësojnë këto veprimtari, pasi u japin më shumë rëndësi “eventeve” se kush e fitoi Big Brother-in, apo kush do të bëhet nesër President, se ç’tha sot Berisha dhe si iu përgjigj Rama në ‘twitter’, me kë e piu kafenë Zaganjori, Meta apo Nano… Ose: 2. Mediat janë ca të kontrolluara e ca të vetëkontrolluara, meqë Presidenti aktual, si dihet, nuk është më “me ne”…Pra, nga inati e mllefi politik kundër planprishësit Topi që po krijon një parti të re del që mund ta pësojë edhe fama dhe nderimi për një artist, në rastin konkret për aktorin e shquar, Nderin e Kombit, Bert Ndrenika. Sidoqoftë, cilado qoftë arsyeja dhe shkaku i vërtetë, kjo ishte një shfaqje e realitetit tonë mediatik nga më të shëmtuarat, një turp, mjerim!
Të më falë miku im, Bert Ndrenika që e nisa këtë shkrim në nderim të tij kësisoj, me mllef e zemëratë, por e them me zemër: Aq sa u ndjeva i gëzuar nga ftesa për të marrë pjesë te “Nderi i Kombit” për Ndrenikën, aq edhe u ndjeva keq kur pashë se si, në vendin tim, në shtetin tim, në shoqërinë time, punët e kulturës e të raportit të vlerave me antivlerat janë katandisur aq për faqe të zezë, sa më tepër vlerë merr kronika dhe komentet nëse një deputet qëlloi apo nuk qëlloi me armë në stadiumin e Peqinit, apo nëse një këngëtare është apo nuk është me barrë, u nda apo nuk u nda nga i dashuri, sesa nderimi për një punëtor të palodhur e të talentuar, që i ka dhënë aq shumë artit skenik e filmik, kulturës shqiptare, si Bert Ndrenika! Unë nuk di të ketë ndonjë shqiptar, brenda e jashtë kufijve, i majtë dhe i djathtë që të mos e urojë me shpirt këtë artist të madh: Faleminderit, Bert Ndrenika!
Habia shtohet edhe më po të mendosh se në diktaturë, për punë biografie, Bert Ndrenikës i mohoheshin rolet, madje edhe i ndërrohej në mes të filmit roli, pasi lufta e klasave nuk mund të lejonte njerëz me cen të luanin role pozitive, por ja që edhe sot, në demokraci, në vitin 2012, në mes të kryeqytetit, në moshën 70- vjeçare, pas gjysmë shekulli veprimtari artistike, pasi ka luajtur me qindra role, mu në epiqendër të shtetit, në Presidencë, pikërisht në ditën më të shënuar të jetës së tij, atij i mohohet vëmendja e publikut, kamerat, se përsëri…përsëri po na del me biografi të keqe, meqë po e dekoron një “armik”, Bamir Topi.
Dikush që ka kujtesë mund të më kundërshtojë e të thotë që nuk është tamam kështu, pasi Berti, në fillimet e demokracisë, ka pas qenë zgjedhur deputet i PD-së në Elbasan…Kjo është e vërtetë, por kjo e bën absurdin shqiptar edhe më tipik: pikërisht se ka qenë deputet i PD-së, atëherë si shpjegohet që Berti e ka “meritue” sërish biografinë e keqe? Se Bert Ndrenika nuk mund të bëhet vegël qorre e askujt, si jo pak kolegë të tij, që e braktisën aktrimin, skenën dhe profesionin për t’u bërë “qëndrestarë” partiakë, dmth deputetë e ministra lapërdharë, pa dinjitet; e thënë më troç: Pa din e pa iman….
Kjo bindje m’u përforcua jo vetëm nga njohja ime e vjetër me të, por nga një edhe nga një bisedë rastësore që pata, kur dolëm nga Presidenca, me një mik të tij…Ky më tregoi se përfaqësuesit e PD-së së Elbasanit i kishin pas shkuar Doktorit në zyrë që t’i kërkonin rikandidimin e Ndrenikës deputet, pasi ishte kërkesë e elektoratit…Dhe udhëheqësi paska thënë, sipas tij, këtë fjali lapidare: Më thoni ju mue, si mund ta vëmë përsëri kandidat Ndrenikën, kur ai nuk ka ardhur të më kërkojë falje që ka luajtur rolin e prefektit?…
***
Kush e njeh Bert Ndrenikën e njeh edhe modestinë e tij të lindur. Jam i bindur që ai nuk do ta ketë vënë re mungesën e kamareve, madje ka shumë mundësi të jetë ndjerë i lehtësuar kur ka parë se nuk kishte kamera ( veç ta dëgjojë, kur foli sa i emocionuar ishte) kur asnjë prej gazetareve të kulturës që i mbajnë syzet mbi flokë nuk ju afrua t’i kërkojë një intervistë…Bert Ndrenika është nga ata artistë të vërtetë që nuk i jep rëndësi publicitetit vetjak, duke kërkuar të dalë me vend e pavend nëpër media (për herë të parë e pamë në një intervistë te emisioni “Zonë e lirë” e Arjan Çanit), sepse ai është nga ia brumë personalitetesh që e di dhe që e ka provuar me jetën e vet se është puna dhe vetëm puna ajo që të nderon…Është djersa, përkushtimi, talenti, serioziteti dhe jo mburrja, vetëkarfosja, dukja: ngjallu, o babë, të më shohësh se sa i famshëm jam bërë!...
Në fund të fundit nuk do të nderohej Bert Ndrenika, por do të nderonte veten drejtori i Teatrit, ministri i Kulturës, mediat…Por ato munguan se ishin të instaluara te dyert e partive, të Qeverisë, të Kuvendit, ku pritej lajmi i radhës: Kush do të bëhet President?...Le që tashmë dihet: Krerët tanë vinë të gjithë për të nderuar vetëm po të vdesësh!….
Ndërkohë kush do të bëhet President u bë qendra e botës, edhe pse posti i Presidentit ka çelësat e kashtës (vajmedet, as fonde për dekorata nuk paska!...). Por edhe sikur të ketë jo të kashtës, po të bashtës, sa do të ndikojë emri i tij, i kujtdo qoftë, në jetën tonë? Pak, ose aspak! Por pyetja, për një shoqëri normale e demokratike, lipset të shtrohet, jo cili do të jetë nesër Presidenti me 70 plus 1 vota, (se “konsensuali” vdiq!), por a mund të kemi nesër një tjetër Ndrenikë? Si zor, me këtë degradim të shkollës në të gjitha nivelet e saj, me këtë mediokritet që ushqen dhe sundon përditë opinionin publik. Se Presidentë mund të kemi, si kemi pasur kësisoj lloj-llojesh, por artistë të tillë, në këtë kohë kaq të trazuar, kur edhe diplomat po shiten e blihen, kur fama sajohet, kur fare kollaj mund të vetëshpallesh artist i shquar, këngëtar me famë, apo n’daç edhe akademik e profesor, kur edhe postet e larta, të deputetit e të Presidentit të Republikës trafikohen ditën për diell, një Bert Ndrenikë, modest e vital, kokulur dhe fisnik të bën të kesh besim se “drit’ e diturisë” nuk është shuar e mund “të na shpjerë edhe ne përpara”…..
Sigurisht nëse do të dimë të çmojmë e të nderojmë ashtu si duhet të tillë burra, të tillë artistë, të tillë punëtorë, si Bert Ndrenika!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›