Veliaj në Kushtetuese, Çela: Vendimmarrja lidhet me fatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe vlerësimin kushtetues të dekretit të Presidentit

Ndërsa sot Gjykata Kushtetuese zhvillon seancën plenare publike për ankimin e Erion Veliajt lidhur me shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, studiuesi i politikës, Dr. Erlis Çela, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, deklaroi se vendimmarrja që do të prodhohet nga Kushtetuesja duhet të shihet në disa dimensione, pasi, sipas tij, lidhet me fatin e zgjedhjeve të Bashkisë së kryeqytetit dhe me vlerësimin kushtetues të dekretit të Presidentit Bajram Begaj.
“Vendimmarrja kushtetuese sot është e rëndësishme në disa dimensione. Nuk është thjesht një raport për çështjen Veliaj. Sigurisht, ai ka të drejtën e tij të kërkojë drejtësi deri në hapat e fundit që parashikon sistemi, por nga ana tjetër vendimmarrja ka të bëjë me fatin e zgjedhjeve të bashkisë së Tiranës,” u shpreh Dr. Çela në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”.
Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese do ta shpallë antikushtetues dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, kjo do të nënkuptonte një shkelje të rëndë kushtetuese nga ana e presidentit.
“Në një rast që vendimmarrja do ta shpallë antikushtetues dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të Tiranës, kjo do të thotë se Presidenti ka kryer një shkelje të rëndë kushtetuese. Ky është një aspekt i rëndësishëm politik. Se çfarë pasoje do të ketë, do të shihet në raport me qëndrimin e Presidentit dhe me qasjen që do të mbajë mazhoranca dhe politika në tërësi” shtoi ai.
Në një tjetër koment për zhvillimet e fundit në Kuvend dhe situatën në sistemin e drejtësisë, Çela theksoi se raportet vjetore dhe diskutimet për reformën në drejtësi nuk po merren seriozisht nga politika, duke theksuar mungesën e fokusit te problematikat reale që prekin qytetarët.
“Asnjëherë në këto vite raportimi në Kuvend nuk është marrë seriozisht. Ky moment u shfrytëzua më shumë si një mundësi për përplasje politike. Reforma në drejtësi ka sjellë debate dhe jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që qytetarët hasin në marrjen e drejtësisë. Sot, qytetari i thjeshtë e ka më të vështirë të marrë drejtësi sesa më parë, numri i dosjeve është rritur dhe koha për mbylljen e çështjeve nuk është përmirësuar,” tha Çela.
Ai shtoi se vëmendja politike është përqendruar kryesisht te strukturat e reja si SPAK dhe Gjykata e Posaçme, ndërsa tha se sipas tij nuk po trajtohen problemet themelore të sistemit gjyqësor.
“Shumë pak flitet për numrin e vogël të gjyqtarëve, për mënyrën si u hartua harta e re gjyqësore apo për procesin e gjatë të formimit në Shkollën e Magjistraturës. Këto janë çështje jo shumë popullore, por thelbësore për funksionimin e drejtësisë,” tha Çela.
/rtsh.al/