Politika shqiptare shpreh ngushëllimet për Kryepeshkopin Anastas

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos
Kryeministri Edi Rama, gjatë ceremonisë për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
“Më lejoni fillimisht që t’i bashkohem edhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe ti përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit, besimtarëve ortodoksë”, u shpreh Rama.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Ajo theksoi se Kryepeshkopi kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët orthodhoksë humbën sot Kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Me vizionin hyjnor, dashurinë e pashtershme, dijet e gjera, erudicionin e pafund, respektin për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.
Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe! Nderim e mirënjohje për trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas!
U prehtë në paqe e përjetësi!”
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u shua mëngjesin e sotëm në moshën 95-vjeçare.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Meta shkruan se “me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos”.
Presidenti i PL-së shprehet se Anastar Janullatos ishte udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve.
“Do t’i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë”, shkruan ai.
Ilir Meta thekson se trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i tij do të jetë i paharruar.
Ndarja nga jeta e kryepeshkopit Anastas, Basha: Do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit
Kreu i demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha në një postim në rrjetin e tij social Facebook ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, një nga figurat më të shquara të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Basha thekson se Kryepeshkopi Anastas do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror dhe urtësisë, duke përçuar një mesazh të fuqishëm për bashkëjetesën fetare, tolerancën dhe dashurinë për çdo njeri.
“Me trishtim mora lajmin e kalimit në amshim të Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ky është një moment pikëllimi jo vetëm për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por për të gjithë ata që patën fatin të njihnin dhe të vlerësonin kontributin e tij për paqen, dialogun fetar dhe veprat bamirëse në shërbim të njerëzve në nevojë. Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit, duke na kujtuar rëndësinë e bashkëjetesës fetare, të tolerancës dhe të dashurisë për çdo njeri. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta besimtarëve ortodoksë, klerit dhe të gjithë atyre që do ta kujtojnë gjithmonë me mirënjohje e respekt. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
Ali Ahmeti: Kontributi i Kryepeshkopit Anastas do të mbahet mend për shumë kohë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka reaguar me një status pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos.
Në një mesazh ngushëllimi, Ahmeti shprehu pikëllimin e tij të thellë për humbjen e Kryepeshkopit, i cili u nda nga jeta më 25 janar 2025, në moshën 95-vjeçare.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Hirësisë së Tij, Anastasit.
Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për besimtarët ortodoksë dhe për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kontributi i Kryepeshkopit Anastas në rikthimin dhe forcimin e jetës kishtare në Shqipëri do të mbahet mend për shumë kohë. Qoftë kujtimi i tij i përjetshëm”, theksoi Ahmeti.
/rtsh.al/