E Diel, 1 Nëntor 2026

“Politika të mos inkurajojë akte ekstreme, dialog në respekt të ligjit dhe institucioneve”

07-11-2012 / Gazeta 55

Reagon zëdhënësi i Stefan Fyles, Komisionerit për Zgjerimin

Komisioni Evropian shpreh keqardhjen për vdekjen e ish-të burgosurit politik dhe grevistit të urisë, Lirak Bejko, duke theksuar gjithashtu se është shumë e rëndësishme të mos inkurajohen akte të tilla ekstreme që sjellin humbjen e jetës.
Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin, Fyle, Peter Stano tërhoqi vëmendjen dje, në Bruksel, se është e domosdoshme të bëhen përpjekje për të vendosur dialogun për të diskutuar problemet e ngritura nga ish-të burgosurit politike, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe institucionet demokratike të vendit.
"Komisioni Evropian shpreh keqardhjen për këtë vdekje dhe i dërgon familjes së të ndjerit ngushëllimet e tij. Në mënyrë të përgjithshme, është rasti të theksojme se është shumë e rëndësishme që të mos inkurajohen akte të tilla ekstreme, që sjellin humbjen e jetës së njerëzve. Eshte absolutisht e domosdoshme të bëhen përpjekje për të vendosur dialogun dhe për të diskutuar për problemet e ngritura nga këta individë, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe institucionet demokratike të vendit", tha Peter Stano, Zëdhënës i Komisionerit Fule.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetareve për mosreagimin e qeverisë ndaj komunitetit ndërkombëtar, i cili kërkoi dialog me grevistët e urisë për të shmangur ngjarje të tilla tragjike, Stano rikujtoi se edhe Komisioni Evropian ka kërkuar dialog ne respekt te ligjeve e te institucioneve te vendit.
"Ne e kemi thënë disa herë, po e ritheksoj edhe sot, që ne kërkojmë një dialog të hapur midis individëve, shoqërisë civile dhe autoriteteve të vendit. Kjo duhet bërë duke respektuar kuadrin ligjor dhe institucionet e vendit. Ne po e ndjekim këtë problem nga afër për të parë se si do të shkojnë zhvillimet në vend", tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›