E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: hapni kutitë, hapni Fierin, hapni Roskovecin

07-11-2012 / Gazeta 55

Vazhdon sjellja e habitshme dhe këmbëngulëse e Edi Ramës për të bllokuar procesin e integrimit me një kleçkë si çështja e qarkut të Fierit, edhe pas mesazheve të forta sensibilizuese të Sekretares së Departamentit Amerikan të Shtetit Clinton që të tejkalohen interesat partiake kur në lojë janë interesat kombëtare. Mesazh i kreut të opozitës, i ripërsëritur dje edhe pas apelit të komisioneres europiane Cecilia Malmstrom, është një konfirmim i rikthimit të tij te politika e logjika haxhiqamiliste, e tipit “hap kutitë-mbyll kutitë”

Partia Socialiste nuk heq dorë nga kushti për miratimin e tre reformave të rëndësishme legjislative, që Komisioni Europian i ka lënë si detyra imediate klasës politike shqiptare, në funksion të vendimit përfundimtar të marrjes së statusit të vendit kandidat.
Ky mesazh u përforcua dhe nga apeli i djeshëm i komisioneres europiane Cecilia Malmstrom, e cila theksoi se, “për miratimin e ligjeve të lidhura me integrimin, përfshi edhe tre ligjet e kërkuara në raportin e Komisionit Europian, duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament”.
Ndërsa kryesocialisti Rama disa orë më pas, në mbledhjen me deputetët socialistë deklaroi se, pa Fierin nuk ka Bruksel për shqiptarët. Me zë dhe figurë Europa po na kërkon votimin e tre ligjeve, ndërsa Rama dëshiron ta kthejmë procesin e integrimin në një pazar Roskoveci.
Megjithatë është e habitshme këmbëngulja e Ramës për të bllokuar procesin e integrimit me një kleçkë si çështja e qarkut të Fierit, edhe pas mesazheve të forta sensibilizuese të Sekretares së Departamentit Amerikan të Shtetit Clinton që të tejkalohen interesat partiake kur në lojë janë interesat kombëtare. Një mesazh i qartë i zonjës Clinton për të gjithë ata politikanë që kanë veshë për të dëgjuar një apel për bashkim në një qëllim: marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë dhe çelja e negociatave për anëtarësim në BE.
Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës në grupin parlamentar të PS ishte një rikthim i politikës te logjika haxhiqamiliste: më mirë Fierin dhe Roskovecin, se nuk pyes as Bruksel as për Uashington. 
Në thelb, çështja e Fierit është një çështje në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe politika duhet të qëndrojë larg presioneve e ndikimeve, duke parë që pavarësia e institucioneve është parakusht themelor për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian. Në parim, kjo çështje mund të zgjidhet  me mocion mosbesimi për kreun e Këshillit të Qarkut apo të gjithë këshilltarëve të qarkut a komunave, pavarësisht se kujt i takon karrigia. Ndërsa ky opsion demokratik refuzohet nga opozita, mandej një hije dyshimi hidhet mbi sistemin e drejtësisë nga ana e Ramës, i cili aludon për konspiracione të mazhorancës ndaj Vangjel Ndrekos. Logjika e pazarit të gjësë së gjallë ku shkëmbehet qarkut i Fierit me Brukselin do t’i dukej e pabesueshme edhe Ndrekos.
Kuptohet vetiu, nëse pyesni qytetarët se kush është kreut i qarkut të tuaj, me siguri, në 90 për qind të rasteve do të merrni si përgjigje një ngritje supesh dhe dy sy të habitur. Apo fjalët, kujt i intereson?
Në fakt ka debate 22 vjeçare që ky institucion, këshilli qarkut, duhet shkrirë si i padobishëm. Nëse lexoni Ligjin për Pushtetin lokal, neni 45, ku theksohen kompetencat e Këshillit të rrethit, në të vërtetë do të konstatoni se, nuk kanë dhe aq kompetenca të qenësishme, aq më pak një kryetar Këshilli që nuk ka mazhorancën e këshilltarëve në qark.
Ndërkaq nuk duhet të harrojmë në këtë kontekst se Rama bllokoi për dy vite integrimit me alibinë e vjedhjes së votave dhe se kutitë duhet të hapeshin, me slogane: “hap kutitë ose largohu”. 
Ndërsa në të vërtetë ai nuk shkoi kurrë në prokurori apo gjykatë për të kërkuar drejtësi. Bojkoti parlamentar, protestat me bllokime rrugës apo djegie gomash, greva e urisë përballë kryeministrisë sikurse demonstrata e dhunshme me gjak kanë qenë “arma” politike e opozitës dhe jo ligji. Afërmendsh po të marrësh dhe të lexosh të gjitha apelet e përfaqësuesve të Bashkimit Europian, qoftë në Tiranë apo në Bruksel, theksi bie gjithmonë tek tre ligjet që duhen votuar në parlament, dhe asnjëri prej tyre nuk është shprehur se çështja e Fierit është problem për marrjen e Statusit të vendit kandidat. Strategjia e Edi Ramës për të ndërkombëtarizuar çështjen e qarkut të Fierit, si një betejë për drejtësi, është parë me dyshim prandaj kanë një heshtje ndërkombëtare.
Sidoqoftë duket ashiqare se për motive të dobëta të forcimit të pozitave në PS, Rama keqpërdor deputetët e Partisë Socialiste në një konsumim të paparë në sytë e votuesve që kërkojnë afrimin me familjen europiane.
Marrja e statusit të vendit kandidat, nuk do të thotë thjeshtë një hap përpara në procesin e integrimit europiane, por një hap gjigant për sa i përket fondeve dhe grandeve për zhvillimin e vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›