E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët t'a lënë hakmarrjen politike në "kremastar"!

Robert Qafzezi

-Ka ardhur koha që politikanët shqiptare t’a lënë hakmarrjen politike në “kremastar”! Vetëm duke e lënë hakmarrjen të varur në “kremastar”, vetëm në këtë mënyrë do t’i hapet rruga drejtësisë dhe britma e saj do të buçasë me gjithë madhështinë e saj. Është e vetmja mënyrë për t’a modernizuar politikën shqiptare drejt një politike reale të paekzistueshme deri tani, duke i dhënë mundësitë e duhura për krijimin e një opozite të vërtetë bazuar në ide dhe jo në kalkulime për t’i futur “stërkëmbësha” artificialë kundërshtarit të bazuara në strategjinë e një lufte jo” luajale” të mllefeve, manipulimeve, prapaskenave meskine dhe hakmarrjeve. Thonë që hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë. Ajo gjithmonë është përgatitur me kujdes në vendin e ”besës” dhe të hakmarrjes së koduar sipas kanunit..! Kënaqësia që nxjerim nga hakmarrja zgjat vetëm një moment, kurse ajo që na jep falja zgjat përjetësisht…Falje?! Drejtësi po!!! Por a është e mundur që të shuash hakmarrjen kur politikanët tanë janë bërë “mjeshtra” për të mbajtur të freskëta plagët, e aq më shumë për t’i “infektuar” ato. Dinamika e hakmarrjes që ka mbretëruar deri tash në drejtimin politik të shtetit e të formacioneve dominuese të politikës vetëm i ka bërë dëm jo vetëm asaj po si pasojë edhe vetë vendit. Brutaliteti i politikanëve është reflektuar në të gjithë sferat e vendit, e ky brutalitet  si “rudiment” i regjimit të vjetër është bërë shembull gërryes i të vërtetave esenciale të vendit si dhe një nga format bazë të kamuflimit të ideve egoiste e të errëta. Mediat dhe analistët e politikës kanë luajtur një rol tepër negative, duke i fryrë zjarrit të hakmarrjes e duke i “pompuar” në mënyrë tepër qesharake e bombastike polikanët kryesorë të vendit, “duelet” e të cilëve ngjanin më shumë me” duelet” e shpatave të drurit me të cilat luanin fëmijët. Tragji-komikja është se akoma sot shumë politikanë, nuk i besojnë akoma “rolit” që janë duke luajtur  në skenën e politikës, nga që ky rol i atribohet krejtësisht rastësisë dhe kombinimeve e manipulimeve  apo disa të tjerë janë shumë euforikë me një entusiazëm të ekzagjeruar karshi realitetit aktual. Le të urojmë që Kuvendi i Shqipërisë të kthehet në një kuvend të vërtetë ku të rrihen debatet jetike të vendit dhe jo një skenë ku mbillet urrejtja e hakmarrja, nën refleksin e gabuar të “kundra-pedalit”.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›