“Politikbërja në ujëra të turbullta”, Ibrahimaj: Politikat e ndërmarra zbutën ndikimet e krizave të përsëritura

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën “Politikëbërja në ujëra të turbullta”: Nxitja e Elasticitetit ekonomik në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore” e cila u mbajt në datat 2 dhe 3 Qershor, në Dubrovnik të Kroacisë, organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Konferenca u fokusua në mënyrat se si mund të nxitet elasticiteti ekonomik, në një mjedis ku rreziqet e fragmentimit janë rritur nga goditjet e krizave te vazhdueshme si ajo e energjisë shkaktuar nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u fokusua në rolin e politikës fiskale sa i përket sfidës së uljes së nivelit të inflacionit dhe stabilizimit të ekonomisë përballë goditjeve të ofertës, si dhe nevojën që kanë vendet e rajonit për të rindërtuar hapësirën fiskale dhe forcuar kuadrin e politikave fiskale, në mënyrë që të përballojnë goditjet e mundshme në të ardhmen.
“Diskutuam mbi impaktin e krizave të njëpasnjëshme që bota ka kaluar dhe efektet e krizave, se si e shohim botën në të ardhmen, se sa e rëndësishme është që të përballojmë krizat, që politikat fiskale dhe politikat monetare të jenë të ndërthurura dhe të kordinuara, me qëllim përballimin e krizave aktuale, por pa e ulur vështrimin nga ajo që na pret në të ardhme”, bëri të ditur ajo.
/RTSH/