E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë/ Bombardimet ruse në qytetin e Dnipro i marrin jetën një fëmije, 22 të plagosur

Një vajzë dy vjeçare është vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror rus në një zonë të banuar të qytetit qendror të Ukrainës, Dnipro.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e përshkroi shpërthimin në Dnipro si një sulm të qëllimshëm rus, megjithëse Rusia më parë ka mohuar të ketë shënjestruar civilët gjatë pushtimit të vendit fqinj.

Shpërthime janë dëgjuar edhe mbi kryeqytetin, Kiev, ku sistemet e mbrojtjes ajrore janë vendosur sërish.

Më shumë se një duzinë shpërthimesh u raportuan gjithashtu në qytetet jugore të pushtuara nga Rusia, Berdyansk dhe Melitopol, megjithëse detajet janë të pakta.

Në Rusi, zyrtarët thanë të shtunën se dy persona të tjerë ishin vrarë në sulme të reja në rajonin kufitar të Belgorodit.

Autoritetet lokale thanë se Ukraina ishte fajtore, megjithëse vetë Ukraina tha se vdekjet ishin rezultat i përpjekjes së Rusisë për të shënjestruar luftëtarët që kundërshtojnë qeverinë në Moskë.

Ka pasur një varg sulmesh në rajon në javët e fundit , veçanërisht duke përfshirë një inkursion të madh ndërkufitar në fund të muajit të kaluar, për të cilin Moska tha se përfundoi me vdekjen e 70 sulmuesve.

Kievi mohoi të kishte ndonjë përfshirje të drejtpërdrejtë, duke thënë përsëri se sulmi ishte ngritur nga paraushtarakët rusë./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›