E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Argita në politikë? Nuk është qameti!

Zv-Kryeministri, Genc Pollo flet për fenomenin e përfshirjes së vajzave të politikanëve në politikë si dhe për të ardhmen e PDR-së

TIRANË - Genc Pollo që pritet të betohet sot para Presidentit të Republikës si Zv-Kryeministër, ka deklaruar dje se nuk e sheh me rrezik mundësinë e përfshirjes së vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha në politike. Duke marrë shkas nga ndryshimet në qeveri dhe përfshirjen në këtë kabinet edhe të vajzës së republikanit Sabri Godo, Pollo është pyetur dje në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” nëse mund të shfaqet si fenomen në të ardhmen, duke marrë si shembull vajzën e kryeministrit Sali Berisha. I pyetur pikërisht mbi faktin se mund të lindë një fenomen i tillë dhe nëse po, a është i duhur apo do gjendeshim në rrezik, Pollo u përgjigj: “Nuk është se Anila Godo ka pasur një karrierë politike. Rrethanat e sollën që ajo të merrte këtë detyrë. Por nuk e shoh si një fenomen që do të përsëritet. Nuk e shoh se pse duhet të replikohet kjo çështje”,- tha Pollo. Megjithatë ish-ministri i Arsimit ka shtuar se, “nuk do të ishte qameti. Nuk e shoh se do të ndodhë një gjë e tillë, por nëse ndodh, nuk është qameti, dhe jemi në territoret supozuese”. Edhe pse e ka mohuar prej shumë kohësh, Genc Pollo për herë të parë flet edhe për mundësinë e shkrirjes se partisë që ai drejton me atë të PD-së, një fenomen të cilin pak kohë më parë e paralajmëroi edhe nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu. “Është opsion që është shtruar, që mund të jetë në tavolinë”,- shtoi Pollo. Ai komentoi dje edhe lëvizjet e tjera në qeveri, duke atakuar jo pak demokristianët, ndërkohë që paralajmëroi se nuk do të ketë ndryshime të tjera në qeveri. “Nuk e besoj se do të ketë ndryshime të tjera. Se nuk mund të ketë ndryshime të vazhdueshme, sepse nuk është mirë për administratën”,- tha ai.

Pollo e cilësoi të nevojshme ndryshimin e drejtimit të Shëndetësisë, pasi siç u shpreh edhe vetë ai, do të ishte keq për qeverinë që në zgjedhjet e ardhshme të shkonte me këtë bilanc në Shëndetësi. Ish-ministri i Arsimit foli dje edhe për dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për Gjykatën e Lartë. “Nëse pesë dekretet e para do konsultoheshin me palët atëherë do të ishte në rregull. Atëherë, Presidenti ushtroi të drejtën e vet. Kuvendi ushtroi të drejtën e vet për t’u shprehur ose jo për kandidatët. Rrëzimi i tyre ndodhi. Vendoset me votë. Unë personalisht mund të mos kem qenë dakord. Maxhoranca vendosi dhe unë e respektova ketë maxhorancë”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›