Braçe: Qeveria shkurtoi fondet e ministrive me 286 mln $
TIRANË- Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, ka deklaruar dje se qeveria po shkurton fondet e ministrave në vlerë 286 mln dollarë. “Do të doja që t’ju lexoja se në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shkurtohen 14 milionë dollarë fonde, ndër të cilat 12.5 milionë dollarë janë në zërin “Mbështetje për zhvillim ekonomik”, për të cilin Shqipëria ka jashtëzakonisht nevojë. Në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, shkurtohen 3.1 milionë dollarë, ndër të cilat 1.8 milionë dollarë shkurtohen në zërin “Menaxhim të infrastrukturës të kullimit dhe ujitjes”, për të cilat shqiptarët, veçanërisht ata që merren me bujqësi, ulërijnë çdo ditë për pikën e ujit. Për të vazhduar me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe të Telekomunikacionit, shkurtohen 197 milionë dollarë fonde, ndër të cilat 157 milionë dollarë shkurtohen në zërin “Rrjeti i rrugëve nacionale”, tha dje Braçe, duke vijuar me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, nga e cila janë shkurtuar 16.9 milionë dollarë fonde. “Në Ministrinë e Shëndetësisë, ku më lejoni t’ju them që skenat janë të horrorit, jo të shëndetit. Shkurtohen 18 milionë dollarë fonde, në Shërbimin e Kujdesit Parësor, 6.6 milionë dollarë fonde, në Shërbimin e Kujdesit Dytësor nëpër spitale, 11.4 milionë dollarë fonde. Në Ministrinë e Brendshme, besoj që e keni parasysh që të gjithë kemi nevojë për rend dhe për ligj. Shkurtohen 23 milionë dollarë fonde. Dhe në fund, në Ministrinë e Mbrojtjes shkurtohen 2.7 milionë dollarë fonde, dhe ku, në “mbështetje shëndetësore!”,- tha Braçe.