E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo publikon dokumentin: Shqipëria ska progres drejt BE-së

Kryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo, publikon konkluzionet e Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe sipas tij nuk ka progres për negociatat me Bashkimin Europian.

Ai thotë se kush pretendon se dje në Bruksel, në Këshillin e Stabilizim Asocimit qeveria Rama mori lavdërimin e radhës nga Komisioni Europian do të ketë dëgjuar vetëm intervistat e Ditmir Bushatit por sipas tij, nuk ka mundësi të ketë lexuar deklaratën e KSA ku pala europiane u kryesua nga përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini.

Deputeti demokrat deklaron se ndërkohë që në mbledhjen para një viti, më 15 nëntor 2017, Mogherini mirëpriti hapa kundër krimit e korrupsionit e suksese kundër kanabisit në vijim të mbledhjes së djeshme u tha se BE ritheksoi nevojën kritike për të arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar veçanërisht kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve.

Ai thotë se Kontrasti sipas Mogherinit duket qartë:

-në 2017 mirëpresin hapat, në 2018 ritheksojnë nevojën kritike për rezultate të prekshme;

-në 2017 flitet në përgjithësi për krim e korrupsion, në 2018 për korrupsion në të gjitha nivelet;

-në 2017 flitet vetëm për kanabis, në 2018 flitet për “drugs” pra narkotikë të tërë llojeve përfshi kokainën.

Edhe në këtë lagje të Brukselit dashamirëse me ta Rama e Bushati nuk ndërtojnë dot më Fasadën e Potjemkinit. Edhe kjo deklaratë tregon se qeveria rilindiste po bëhet gjithnjë e më shumë pengesë për hapjen e negociatave të anëtarësimit, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij Genc Pollo.

15 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›