Teatri, Balla akuza Metës: Mbështet lojën e opozitës, ligji rivotohet në shtator
Vendimi i Presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, është shpallur edhe zyrtarisht i papranueshëm nga mazhoranca.
Pas reagimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili nuk e mohoi zhgënjimin nga akti i Metës dhe e thumboi duke thënë se nuk pati fuqinë të dilte përtej familjeve politike, kundër vendimit të Kreut të Shtetit është rreshtuar edhe kreu i Grupit të PS, Taulant Balla.
Në Facebook, ai shkruan se sot, Presidenti zgjodhi të mbajë gjallë farsën e opozitës me teatrin.
Fatkeqesisht sot thirrjeve te Lulit e Mones iu përgjigj Presidenti i Republikës. I cili, deri me sot, ka patur një sjellje te admirueshme, duke mos u bere pale as e politikave te familjes se tij, as e lojërave te partisë se tij. Të po të njëjtëve individë qe protestonin kundër parkut te lodrave, kundër bulevardit te ri, kundër Rilindjes Urbane ne çdo qytet te Shqipërisë. Ai qe jave me pare i bënte thirrje autoriteteve shtetërore te gjenin gjuhen me artistet sa i takonte projektit te teatrit, sot vendosi kundër vullnetit te artisteve, duke mbështetur lojën e opozitës, shtonë më tej me ashpërsi Balla.
Ai madje i rikthehet 21 janarit të vitit 2011, duke thënë se Lulzim Basha Minister i Brendshem dhe Sali Berisha Kryeminister akuzonin protestusit dhe opozitën për grusht shteti.
Sot, 7 vjet me pas, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, qe te dy ne opozite, akuzojnë shumicën qeverisëse për grusht shteti. Me një gjuhe qe nuk ka asnjë lidhje me aspiratat Evropiane te Shqipërisë se vitit 2018, kreu i opozitës kërcënoi sot me ruspa e dinamit sipermarresit shqiptare dhe arkitektet e huaj. E gjithë kjo sjellje pritej, qofte nga Luli, qofte nga Mona. I kishim dëgjuar edhe me pare klithmat e tyre te dëshpëruara, si ne rastin e parkut te lodrave, si ne rastin e stadiumit kombëtar, si ne shume e shume episode te tjera te opozitës se tyre shterpe, thekson Balla.
Në fund kreu i Grupit të PS thekson se shumica parlamentare, në mbështetje te dekretit te Presidentit dhe Kushtetutës, do te rivotoje projektligjin ne fjale menjëherë sapo Parlamenti te rimblidhet ne shtator.
Kjo, sipas Ballës për ti dhënë shqiptarëve dhe artistëve një Teatër të ri, modern dhe dinjitoz.
27 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)