Pollo vijon replikat me Arvizu-në, por krahason zgjedhjet e 23 qershorit me të 2005-s
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, ka vijuar replikat dhe sulmet ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Fillimisht ai iu përgjigjet komentuesve të shumtë kritikë.
Dje në faqen zyrtare time në Facebook postova një shënim ku argumentoja se zgjedhjet e qershorit 2013 (dhe rotacioni si pasojë e tyre) nuk mund të jenë historikisht të krahasueshme me zgjedhjet e vitit 1992, pasi këto të fundit shënuan ndarjen me një regjim totalitar komunist dhe nisjen e një epoke të demokracisë. Më saktë, shënimi merrte spunto nga deklarata e një personazhi public, sipas te cilit këto dy ngjarje ishin të ngjashme.
Sot paradite, duke parë komente në FB e blogje, vura re se reagimet negative ndaj shënimit, hiq mënjanë sulmet e zakonshme personale, ishin të tipit ” po ju humbët keq, tani qepeni gojeë”, ” ju qeverisët mysybet dhe morët faturën, pse nuk pranoni zgjedhjet”, ” po nuk e di se ai flet në emër të shefit, në mos me porosi të Atit të përjetshëm”, deri tek groteskja ” pse doni të na prishni me Aleatët”. Mendova se shembull më të mirë të paaftësisë për të arsyetuar mbi thelbin e çështjes dhe të zotësisë për tu arratisur në gjëra anësore e pa lidhje, vështirë se gjendet, shprehet Pollo.
Më pas ai kalon tek akuzat ndaj ambasadorit amerikan, duke thënë se asnjë njeri inteligjent, nuk do të bënte krahasim mes zgjedhjeve të 23 qershorit dhe 22 marsit. Por, Pollo e pranon edhe vetë në mënyrë indirekte se zgjedhjet e 23 qershorit ishin shumë të rëndësishme, duke qenë se i krahason ato me zgjedhjet e 2005-s, kur u rrëzua qeveria e korruptuar e Fatos Nanos.
Edhe njëherë për thelbin: Kam besim se si socialistët jonostalgjikë për PPSH, si josocialistët e mërzitur a inatosur me PD, si dhe çdokush që ka respekt edhe publik për inteligjencën e vet, nuk do ta krahasonte rotacionin e pushtetit përmes kutisë së votimit të vitit 2013 (do të shtoja edhe 2005 këtu) me përfundimin e regjimit komunist e fillimin e erës së demokracisë që shënuan votat popullore të 22 marsit 1992. Kjo çështje mund të mos jetë me aktualja e ditës, por është themelisht e rëndësishme për të patur vëmndjen tonë, shkruan Pollo./b.l