Pollo:Shqipëria në partneritet për qeverisje të hapur
"Çdo shpenzim i shtetit të deklarohet online" kjo në kuadër të nismës së re për Partneritetin për Qeverisje të Hapur , e cila synon të sigurojë angazhime konkrete nga ana e qeverive për të nxitur transparencën, fuqizimin e qytetarëve në vendimmarrje, luftën kundër korrupsionit, dhe të shfrytëzojë teknologjitë e reja për të forcuar qeverisjen. Kreu i Grupit Ndërministror të Punës për hartimin e planveprimit, ministri Genc Pollo zhvilloi sot një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
“Komiteti Drejtues i OGP-së nuk është i përbërë vetëm nga shtetet themeluese të partneritetit, por edhe nga organizata të shoqërisë civile nga e gjithë bota, si partnerë në këtë iniciativë. Dhe sot në këtë takim ju nuk jeni thjesht të ftuar, unë ju inkurajoj të luani një rol aktiv në këtë nismë të qeverisë shqiptare, të jeni partnerët tanë të barabartë, duke ofruar ide të reja dhe duke na ndihmuar për të marrë vendime më të mira, sidomos në procesin e hartimit të planveprimit tonë për OGP-në”, u shpreh Pollo.
Drejtoresha e Agjensisë kombëtare të shoqërisë së informacionit vë theksin tek 4 parimet kryesore për këtë nismë.
Grupi ndërministror i punës (GNP) është i kryesuar nga Ministri Pollo, ku marin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Planveprimi i hartuar nga këto grupe duhet të dorëzohet në OGP (Partneriteti per qeverisje te hapur) në prill 2012.