Poloni, arrestohen 6 persona, pjesë e një rrjeti spiunazhi rus, planifikonin edhe sabotime

Një grup shtetasish të huaj janë arrestuar nën dyshimin se kanë spiunuar për llogari të Rusisë. Kjo u bë e ditur nga dy zyrtarë të qeverisë polake për BBC. Stacioni radiofonik RMF FM raportoi se shërbimet polake të sigurisë kishin shkatërruar një rrjet spiunazhi që punonte për Rusinë.
“Gjashtë persona u arrestuan me dyshimin se kishin instaluar kamera sekrete për të filmuar infrastrukturën e transportit që përdoret për dërgimin e ndihmave në Ukrainë,”- raportoi stacioni.
RMF FM tha se celula kishte përgatitur edhe plane për sabotime. Konflikti prej dekadash i spiunazhit midis Rusisë dhe Perëndimit është intensifikuar që nga lufta në Ukrainë.
Polonia është një nga aleatët më të fortë të Ukrainës dhe forcat e saj të sigurisë kanë arrestuar disa persona të dyshuar për spiunazh për llogari të Rusisë.
Sipas stacionit të radios, grupi kishte instaluar dhjetëra kamera pranë kryqëzimeve hekurudhore dhe rrugëve të rëndësishme të transportit në provincën Podkarpackie të Polonisë, e cila kufizohet me Ukrainën.
Disa prej tyre u gjetën pranë një aeroporti të vogël rajonal që është shndërruar në një qendër logjistike ndërkombëtare që dërgon ndihma ushtarake dhe humanitare në Ukrainë.
Avionë ushtarakë, por dhe mallrash, që vijnë nga SHBA-ja dhe e gjithë Evropa, fluturojnë rregullisht brenda dhe jashtë aeroportit Rzeszoë-Jasionka, ku trupat amerikane mund të shihen pranë Humve-ve të tyre, për të kryer furnizimet për kamionët që presin dhe më pas bëjnë një rrugë prej 100 km drejt kufirit të Ukrainës.
Vendi konsiderohet kaq i ndjeshëm, saqë Uashingtoni ka vendosur sisteme të mbrojtjes ajrore amerikane Patriot për të mbrojtur aeroportin. Presidenti i SHBA Joe Biden fluturoi në këtë aeroport në rrugën për vizitën e tij të fundit në Kiev.
Siguria në vendet kritike të infrastrukturës thuhet se është rritur, tha RMF FM. Ministri i Brendshëm i Polonisë, Mariusz Kaminski, i cili është përgjegjës edhe për Agjencinë Polake të Sigurisë së Brendshme (ABË), oficerët e të cilit thuhet se kanë kryer arrestimet, pritet të flasë me mediat, në lidhje me raportin e RMF FM të enjten në mëngjes.
Muajin e kaluar, prokurorët akuzuan një shtetas rus, i cili është prej kohësh banor i Polonisë, për spiunazh në favor të Rusisë nga viti 2015 deri në vitin 2022.
Personi, i cili drejtonte një biznes në Poloni, dyshohet se ishte i përfshirë në grupet për rindërtimin e banesave historike, ku ai kishte kontakte edhe me personelin ushtarak polak.
Ai u arrestua në prill të vitit të kaluar pas një hetimi, i cili zbuloi se ai kishte mbledhur informacione mbi strukturën organizative të njësive ushtarake polake në veri-lindje të vendit.
Një shtetas spanjoll me origjinë ruse, i cili u identifikua si agjent i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU) u arrestua në Przemysl, Polonia juglindore, nga ABË vitin e kaluar me dyshimin se kishte spiunuar për Moskën.
Në mars të vitit të kaluar, një punonjës polak i Zyrës së Regjistrimit në Varshavë, i identifikuar si Tomasz L., u arrestua me dyshimin për transferimin e të dhënave të vlefshme operacionale tek shërbimet e inteligjencës ruse.
/rtsh.al/