Polonia do të dyfishojë numrin e trupave ushtarake në kufirin me Bjellorusinë

Qeveria polake njoftoi të mërkurën se po planifikon të vendosë 2,000 trupa shtesë në kufirin e saj me Bjellorusinë, dyfishi i numrit që kishte kërkuar agjencia e Gardës Kufitare, pasi frika për migrimin e paligjshëm po rritet.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve PAP, zëvendësministëri i brendshëm, Maciej Wasik, njoftoi vendimin dhe akuzoi autoritetet bjelloruse për organizimin e migracionit të paligjshëm.
Ai tha se presioni i migracionit në zonën kufitare polako-bjelloruse po rritet, megjithëse nuk mund të krahasohet me situatën e dy viteve më parë.
Në atë kohë, një numër i madh emigrantësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika mbërritën në kufi. Udhëtimi i tyre u lehtësua nga fluturimet dhe vizat e ofruara nga qeveria e Minskut – diçka që Varshava e konsideronte si një formë të “luftës hibride”.
“Nëse do të kishim roje të vërteta kufitare në anën tjetër dhe jo një shërbim kontrabandë, këto kalime nuk do të ekzistonin fare,” tha Wasik.
Autoritetet polake u kundërpërgjigjën duke ndërtuar një mur të gjatë çeliku, i cili ka reduktuar numrin e emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë kufirin, por nuk i ndalon ata plotësisht.
Pasojat nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës kanë sjellë edhe shqetësime të tjera, duke përfshirë praninë e mercenarëve të grupit Wagner të lidhur me Rusinë në Bjellorusi këtë verë, pas rebelimit të tyre jetëshkurtër në Rusi.
Në fillim të kësaj jave Bjellorusia filloi gjithashtu stërvitjet ushtarake pranë kufirit të saj me Poloninë dhe Lituaninë.
Javën e kaluar dy helikopterë bjellorusë fluturuan për një kohë të shkurtër në hapësirën ajrore polake në atë që u pa nga Varshava si një provokim i qëllimshëm.
“|Trupat e reja që janë tashmë në kufi do të mbështesin punën e qindra policëve dhe oficerëve të Gardës Kufitare,”- sipas PAP.
Wasik tha se trupat e reja do të arrijnë në destinacionin e tyre brenda dy javëve të ardhshme.
Presidenti i Polonisë Andrzej Duda njoftoi të martën se Polonia do të zhvillojë zgjedhjet e saj parlamentare më 15 tetor. Autoritetet qeverisëse me të cilat ai është aleat janë përpjekur t’u tregojnë votuesve se janë seriozë për sigurinë dhe mbrojtjen ndërsa kërkojnë një mandat të tretë. Apnews
/rtsh.al/