E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia përjashton Çanin

Përveç që nuk po kalon momente të mira, Edgar Çani së fundi ka marrë një goditje tjetër. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është përjashtuar nga skuadra e Polonia Warsawas për shkak të sjelljeve jo të mira. Deri në hapje të afati kalimtar të janarit, 23 vjeçari do të luajë me ekipin e të rinjve.

Vazhdon momenti negativ i Edgar Çanit te skuadra polake Polonia Warsawa. Klubi polak ka bërë të ditur se sulmuesi shqiptar është përjashtuar nga ekipi i parë, ndërsa deri në janar të vitit 2013 ai do të stërvitet me ekipin e të rinjve.

Në faqen zyrtare të skuadrës polake saktësohej që menjëherë sapo të hapet afati kalimtar i janarit do të tentohet shitja e lojtarit të Kombëtares shqiptare te ndonjë skuadër tjetër.

Vendimi është marrë nga bordi drejtues i klubit, që kërkon të mos e humbasë sulmuesin pa dëmshpërblim, duke qenë se Çani është nën kontratë deri në vitin 2015 me ekipin.

Masa ndëshkimore u dha për shkak të sjelljes jo të mirë të 23-vjeçarit gjatë dhe pas ndeshjes së fundit në kampionat kundër skuadrës GKS Belchatow.

“Vendimi për largimin e Edgar Çanit nga ekipi i parë dhe kalimin e tij në ekipin e të rinjve është marrë për shkak të sjelljes së keqe të lojtarit gjatë dhe pas ndeshjes së javës së nëntë të kampionatit ndaj GKS Belchatow, pas kërkesës së stafit teknik të skuadrës”, bëhet e ditur në deklaratën zyrtare të klubit.

Çani u aktivizua në pjesën e dytë të asaj ndeshjeje dhe fitoi një 11-metërsh, të cilin kërkoi ta godiste vetë. Sulmuesi kërkonte golin e parë sezonal, por edhe pse skuadra po fitonte 5-0 Thomas Brzyski, i cili është caktuar nga stafi për të ekzekutuar penalltitë nuk e lejoi.

Kjo shkaktoi polemika në fushë mes dy lojtarëve, ndërsa në fund të ndeshjes duket se sulmuesi shqiptar ka ofenduar edhe trajnerin. Kjo ka bërë që kuqeziu të akuzohet se ka prishur atmosferën brenda skuadrës dhe për këtë arsye tashmë klubi ka vendosur ta shesë.

Ish sulmuesi i Pescaras, i Ascolit, i Padovas, i Piacenzas e i Modenas vitin e kaluar nga Palermo ishte transferuar te skuadra e Polonia Warszawas. Çani në sezonin e parë kishte shkëlqyer me ekipin polak duke realizuar 13 gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›