E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA e UEFA, mafioze

Menaxheri italian, Mino Raiola dy shtëpitë e mëdha të futbollit botëror, FIFA dhe UEFA i quan organizata mafioze. Presidentin e kësaj të parës, Sepp Blatter, e quan diktator të çmendur, kurse atë të së dytës, Michel Platini, një person jokompetent dhe të papërgjegjshëm. Edhe zgjedhjet për Topin e Artë, Raiola i konsideron politike dhe të korruptuara.

Njëri prej menaxherëve më të suksesshëm të futbollit në botë, Mino Raiola, i ka kritikuar ashpër drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) dhe asaj evropiane të futbollit (UEFA). Menaxheri italian i ka konsideruar si mafioze dy organizatat më të mëdha të futbollit në botë.

“UEFA dhe FIFA janë organizata gjithçka tjetër, pos transparente. Ndër të tjera, ato mund të krahasohen me organizata mafioze”, deklaroi Raiola për të përditshmen suedeze Sport-Expressen.

Më pas, ai i ka specifikuar akuzat dhe i ka akuzuar njerëzit që janë në krye të futbollit botëror, Joseph Blatter e Michel Platini, për të cilët mendon se nuk po punojnë për të mirën e futbollit, por për përfitime materiale.

“Blatter është një diktator i çmendur. Kurse, sa i përket Platinit, fair-play financiar e demonstron që është jo kompetent. Për UEFA-n dhe FIFA-n, sheikët nga Katari nuk mund ta sponsorizojnë Paris Saint Germainin, e atëherë përse e meritojnë ta sponsorizojnë Ligën e Kampionëve?”, shtoi Raiola i cili nuk u ndal me kaq, duke e thumbuar edhe më tej kreun e UEFA-s, Platini.

“PSG kritikohet për angazhimet e lojtarëve dhe për para, të cilat në fund përfundojnë në UEFA. Nëse do të isha president i UEFA-s, do ta publikoja bilancin për ta demonstruar se ku kanë përfunduar paratë. Po ashtu, të gjitha vendimet do të merreshin nga shumica, por kjo nuk ndodh”, vazhdon akuzën Raiola, i cili është menaxher i Zlatan Ibrahimovicit dhe Mario Balotellit, plus lojtarëve të tjerë më pak të njohur.

Ai e ka akuzuar FIFA-n edhe për Topin e Artë, ku po ashtu mendon se ka parregullsi. “Topi i Artë do të ishte i rëndësishëm vetëm nëse do ta fitonte Ibrahimovic, por është një premi politike dhe e korruptuar”, përfundoi ai.

Raiola, i cili njëkohësisht është menaxher i FIFA-s, njëri prej më të njohurve në botë, është i njohur për kritikat e tij të kohëpaskohshme në adresë të shtëpisë së futbollit botëror dhe atij evropian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›