Favoritët e Messit

Lionel Messi zbulon se dy nga shokët e skuadrës në Barcelonë do ta marrin votën e tij për Topin e Artë këtë vit, duke shtuar se edhe dy lojtarë të Real Madridit mund të merren në konsideratë për ta fituar këtë çmim.
Ylli argjentinas e ka fituar tashmë tri herë këtë trofe individual, duke u bërë vetëm lojtari i katërt në histori të kësaj loje që e bën një gjë të tillë, por e pranon se mund të ndodhë që ta kalojë një vit pa e fituar këtë çmim prestigjioz. “A po mendoj për Topin e Artë? Jo”, është shprehur Messi për të përditshmen spanjolle Marca.
“Kur të vjen koha, ndoshta mund të jetë ndryshe. Kam qenë me fat që e kam marrë këtë trofe tri herë, është masive, e pabesueshme. Mirëpo, mund të shkojë një vit kur nuk do ta fitoj atë. Stili i lojës sime është i njëjtë gjithmonë. Nuk kam menduar asnjëherë për këtë çmim, që kur isha shumë i vogël. Një gjë është e sigurt, kam mësuar shumë nga koha kur isha fëmijë”, shtoi ai.
Messi ka folur edhe për mundësinë që kanë lojtarët tjerë për ta fituar Topin e Artë, duke mos i çuar të gjitha mundësitë vetëm tek bashkëlojtarët e tij. “Nuk e di se kush do të jetë në listën e shkurtër, por do të votoj për Xavin, Iniestan dhe përfundimisht njërin nga bashkëkombësit e mi. Por, mund të jetë Iker Casillas, i cili është njëri prej portierëve më të mirë në botë, ose Cristiano Ronaldo, ai që do ta fitojë”, vazhdoi ai.
Argjentinasi thotë se është lodhur nga dyluftimi me Cristiano Ronaldon, të cilin e nxisin mbi të gjitha mediat. “Ne jemi rivalë në fushë, asgjë më shumë. Ne luftojmë për ekipet tona dhe po më lodh përballja me Ronaldon”, vijoi ai.
Futbollisti më i mirë në botë ndihet i lumtur në Barcelonë, përkundër spekulimeve që e shohin në të ardhmen në Manchester City apo Paris Saint Germain.
“Këtu në Barcelonë punojmë në një mënyrë ndryshe me topin dhe në sistemin taktik. Kam ardhur nga Argjentina, ku nuk e bënim një gjë të tillë. Atje gjithçka kishte të bënte me vrapimin, asgjë më shumë. Isha i lumtur që kam punuar me Tito Vilanovan, që kur ka ardhur në Barcelonë. Nga ai moment, karriera ime ndryshoi në ekipin e të rinjve te Barça”, përfundoi Messi.