E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Polonia planifikon të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë

 Polonia ka vendosur të dërgojë një kompani tankesh Leopard për të ndihmuar Ukrainën fqinje, në luftën e saj kundër  pushtimit nga ana e  Rusisë. Kjo u bë e ditur sot nga presidenti polak, Andrzej Duda.

Por ai, gjatë një vizite në Lviv, nënvizoi se kjo masë do të merrej vetëm nëse kësaj do ti bashkohej një koalicion më i madh ndërkombëtar, që do të ndihmonte Kievin me tanke.

Udhëheqësit e Polonisë treguan se ishin në bisedime edhe me vende të tjera, për një koalicion ndërkombëtar që do të dërgonte tanket Leopard të prodhimit gjerman në Ukrainë. Ata nuk i kanë publikuar vendet me të cilat po bisedojnë.

Në kuadër të këtij koalicioni të mundshëm ndërkombëtar, “ne kemi marrë vendimin që të kontribuojmë me një paketë të parë tankesh, një kompani tankesh Leopard, e cila, shpresoj, së bashku me kompanitë e tjera të Leopardit dhe tanke të tjera që do të ofrohen nga vendet e tjera, do të jetë në gjendje të forcojë mbrojtjen e Ukrainës”,- tha Duda në një konferencë shtypi në Lviv.

Një kompani përbëhet nga 14 tanke.

Duda dhe presidenti lituanez Gitanas Nauseda u takuan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Lviv, në kuadër të të ashtuquajturit “Trekëndëshi Lublin”, që ka të bëjë me  bashkëpunimin e ndërsjelltë.

Zelenskyy tha se Ukraina ka nevojë për tanke për të fituar luftën dhe “po pret një vendim të përbashkët” për këtë temë, sepse “një vend nuk mund të na sigurojë një numër të mjaftueshëm prej tyre”.

Të tre liderët diskutuan edhe për partneritetin e mëtejshëm strategjik midis vendeve të tyre.

“Lituania dhe Polonia kanë konfirmuar vendosmërinë e tyre për të vazhduar ofrimin e mbështetjes ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën”,- tha Nauseda.

“Lufta në Ukrainë është lufta jonë – lufta e botës së lirë kundër një diktatori. Ne do të qëndrojmë me Ukrainën deri në fitore”,- tha ai.

Në Britani, një tjetër aleat i vendosur i Ukrainës, zëdhënësi i kryeministrit Rishi Sunak tha se “tanket mund të ofrojnë një mundësi ndryshimi të lojës për ukrainasit”.

Zëdhënësi Max Blain tha se Sunak ka udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes, Ben Wallace, që të punojë me aleatët se cilat automjete ishin më të mira për të dërguar. 

Ai tha se nuk është marrë një vendim përfundimtar. Britania e Madhe ka marrë në konsideratë nëse do të dërgojë tanke luftarake Challenger 2 në Ukrainë, e cila po lufton me pushtimin në shkallë të gjerë të Rusisë që nga 24 shkurti. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›