Polonia redukton në maksimum pensionet për ish-funksionarët komunistë
Ish-politikanët e lartë komunistë në Poloni, në të ardhmen do të marrin pensione minimale. Këtë e vendosi para pak ditësh në Varshavë, Parlamenti vendas. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe ndërrimit të sistemit edhe në Poloni, fillimisht u ndoq një rrugë e zbutur ndaj trajtimit të ish-komunistëve. Udhëheqja e vjetër politike e vendit mbeti e pacënuar dhe politikanët e rinj u përpoqën të ndërtonin demokracinë pa hakmarrje. Por fakti është se polakët, megjithatë, kurrë nuk mbetën të kënaqur me ecurinë e trajtimit të ish-komunistëve gjatë këtyre 18 viteve demokraci. Shumëkush në Poloni thotë se ligji i ri është një “drejtësi e vonuar”, ish-komunistët sigurisht se ankohen duke thënë se se kjo është një “hakmarrje kolektive”
Me zhgënjim do ta shohë veten Wojciech Jaruzelski në të ardhmen kur t’i duhet të marrë pensionin. Pasi edhe ish-kryeministrin polak dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste Polake, që në dhjetor 1981 shpalli “gjendjen e luftës” në mbarë vendin, e prek ky ligj, të cilin Parlamenti polak e dekretoi të premten e shkuar. Deputetët e Sejm-it reduktuan në maksimum pensionet e ish-funksionarëve që kapin periudhën mes viteve 1944 e 1990. Për “Gjeneral” Jaruzelskin konkretisht, pensioni mujor si ushtarak madhor do të zbresë kësisoj nga 1800 euro që ishte deri më tani, në 600 Euro. Nëpunës e funksionarë të rangjeve më të ulëta të udhëheqjes komuniste, përkundrazi, do të mund të vijojnë jetesën madje edhe me pensione që kapin vlerën minimale të 150 Eurove në muaj.
Të prekur nga ky ligj janë edhe bashkëpunëtorë të ish-Shërbimit të fshehtë dhe të Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare që qeverisi Poloninë në vitet kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme 1981/82, por edhe shumë ish-spiunë e funksionarë ushtarakë që kanë kryer në atë kohë „procese operacionale e hetimore“. Madje edhe ish-funksionarë që pas vitit 1990, me procesin e lustracionit kanë rezultuar të pastër në të shkuarën e tyre dhe më pas janë vënë sërish në dispozicion të shërbimit të ri të fshehtë, ligji i ri i prek. Vetëm ata të cilët kanë vërtetuar para gjykatës se kanë punuar fshehtazi në organet e Sigurisë Kombëtare e policinë e fshehtë, në favor të grupimeve opozicionale e disidente, mund të vazhdojnë të gëzojnë pensionet që kanë pasur deri më tani.
Parlamenti polak dekretoi ligjin e ri të premten me një shumicë relative të numrit prej 366 të deputetëve të tij. Si “Platforma Qytetare” dhe “Partia Popullore”, ashtu edhe partia opozicionale „Drejtësi dhe Liri“ votuan pro ligjit, e kundër ishin vetëm të majtët opozitarë. “Me rregullimin e ri u rikthyen principet themelore të drejtësisë në shoqërinë polake”, ka argumentuar qeveria që solli në parlament ligjin.
Nuk bëhet fjalë për të penalizuar rëndë ish-funksionarë komunistë, theksoi zëdhënësi i Presidentit të vendit, Lech Kaczynski, Michal Kaminski, i cili punon vetë për partinë „Liri e Drejtësi“. „Ne duam vetëm që këta njerëz sot të mos vijojnë të marrin më para më shumë se pensionistët e tjerë që në ato kohë kanë bërë më shumë për Poloninë se sa funksionarët komunistë“, tha Kaminski. “Nuk mund të jetë kaq e thjeshtë që viktimat e regjimit komunist, të marrin dhjetë herë më pak para se sa ekzekutorët e tyre“, theksoi edhe Sebastian Karpiniuk i Platformës Qytetare.
Si një rikthim të hakmarrjes së vjetër kolektive, përkundrazi, e trajton këtë ligj të ri Janusz Zemke i të majtëve. Partia e tij kërcënon që ta hedhë çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Gjeneral Jaruzelski po mendon ndërkaq që të pretendojë për pensionin si ish-president, nga i cili ai kishte hequr dorë më parë. Si ish-kryetar shteti, ai madje do të duhej të merrte më shumë para, se sa një gjeneral i merituar në kushtet e reja. Të tjerë funksionarë, përkundrazi, nuk e kanë mundësinë për një zgjidhje të tillë luksi.
Në Poloni po zien ndërkohë sërish debati se sa përgjegjësi duhet të mbajnë ish-zyrtarë e bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë polak për aktet e kryera. Pas kthesës politike në fund të viteve ’90, qeveritë e para polake, fillimisht ndoqën një strategji të butë kundër ish-komunistëve. Ata u përpoqën të shmangnin gjakderdhjen si në Rumani dhe u tëhoqën për këtë arsye nga “larja e hesapeve “ me ish-funksionarët komunistë. Ky kalim paqësor, gjithsesi u kritikua nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vendase. Në periudhën e qeverisjes konservatore të Jaroslaw Kaczynski-t, nisi në vitin 2006 politika e ashtuquajtur “e lustracionit”, për të verifikuar ish-personalitetet e jetës publike në të shkuarën e tyre. Në vitin 2007, u çel madje edhe një proces kundër vetë Wojciech Jaruzelski-t dhe anëtërve të tjerë të Këshillit të Mbrojtjes së vitit 1981.