E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat për qasjen e opozitës kosovare në debatin publik

Fillimisht, partitë opozitare edhe kur bëjnë kritika ndaj pozitës, ndaj koalicionit qeverisës në vend, nuk kanë qasje drejt asaj që nga qytetarët e Kosovës do të konsiderohej e dobishme. Definitivisht opozita është out (jashtë). Ky konstatim vije si pasojë e asaj që shohim çdo ditë, kur kemi ballafaqim mes pozitës dhe opozitës. Krejt në fillim, opozitë në Kosovë dihet mirëfilli se kush është; njerëz që kur kishin pushtetin në “dorë”, dëshmuan se nuk janë të aftë për asgjë, bile për asgjë hiq. Njerëz të cilët keqpërdorën besimin e votuesit në mënyrën më flagrante. Pra, a mund t’u besohet përsëri vota njerëzve të cilët me shembuj konkret dëshmuan se nuk janë të aftë të mbajnë pushtetin? A po ndoshta qytetari i Kosovës duhet të bëhet kurban me dekada të tëra, duke provuar sisteme e pushtete. Nëse ta zëmë në Parlamentin e Kosovës diskutohet për ligjin për institucionin e presidentit, disa zëra tepër të ngjizur opozitar flasin për sovranitetin e vendit, dhe me fraza të kalbura patriotike kujtojnë ta fitojnë besim e qytetarit të zhgënjyer të Kosovës. Paradoksi qëndron se, këta zëra u drejtohen atyre të cilët me ose pa pajtimin e dikujt e sollën Kosovën në situatën të cilën është aktualisht. Pra, aktualisht pushteti është në duart e atyre që e merituan atë, edhe pse ky imazh mbase ka filluar të zbehet, sidomos kur kihet parasysh fakti se krerë të institucioneve tona jo rrallë kanë rënë ndesh e atyre që vet kanë proklamuar.... Nëse ta zëmë Donika Kada, e cila ka luajtur llastik me shoqet e lagjes, në kohën kur Jakup Krasniqi fliste në emër të zëdhënësit të UÇK-së, flet për sovranitetin e vendit, atëherë çfarë mund të thuhet tjetër, kjo thjesht s’do koment...  Kjo është si m’i shit dardha, dardhagjisë...
E keqja konsiston në faktin se, qytetari i Kosovës tërësisht i zhgënjyer në institucionet tashmë të shtetit të tij, nuk ka besim tek asnjë grupacion politik dhe doemos si pasojë e këtij mosbesimi, në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një përqindje shumë simbolike të votuesve të mundshëm. Mendoj se qytetarit të vendit nuk i nevojiten njerëz që potencialin politik e harxhojnë duke mashtruar popullin me fraza arkaike, të cilat tashmë nuk i përpin as edhe bariu në një fshat të thellë të Kosovës. Faktikisht qasja e opozitës, ndaj koalicionit qeverisës ka mbetur në fazën e saj infantile, pra opozita për asnjë çast nuk po ia arrin të prek në ato pika të cilat për qytetarin e Kosovës do të konsideroheshin më të ndjeshme, e kjo ndodh për faktin se ata nuk njohin në themel brengat e qytetarit të vendit. Gjithsesi, edhe koalicioni aktual qeverisës dëshmon se në Kosovë politika synon vetëm t’u plotësojë orekset  njerëzve të caktuar. Kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit, ku PDK bën koalicion me LDK-në vetëm e vetëm që në krye të institucioneve të vihen njërës të caktuar, të cilët jo rrallë postet i kanë fituar pa plotësuar kurrfarë kriteresh morale e profesionale. Mbase mbani mend, dikur deputetja Kelmendi, tash ministre e Drejtësisë, akuzonte për vrasje politike pikërisht këta me të cilët është në koalicion sot, kjo dëshmon se në politikën e Kosovës veprohet verbërisht pa kurrfarë logjike. Një zë më i arsyeshëm kur jemi te kritikat drejtuar koalicionit qeverisë, rëndom ka ardhur nga kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili thotë se: “Ky koalicion qeverisë verbërisht, ky koalicion nuk ka program”, faktikisht kjo është dëshmuar në këtë periudhë të qeverisjes aktuale, pa mohuar edhe të arriturat e saj që herë-herë kanë qenë shpresëdhënëse. Nga kjo që u tha më sipër, lë të kuptohet se në Kosovë nuk ka as pozitë e as opozitë të mirëfilltë, se në Kosovë nuk ka funksionim të jetës institucionale e cila do të bënte që njeriu ynë të shpresoj për një të nesërme më të mirë. Si do që të jetë, s’na mbetet tjetër vetëm se ta kërkojmë zgjidhjen e tretë nëse në fakt ekziston diku. Përfundimisht, nëse shprehemi simbolikisht, qytetari i Kosovës është i rrezikuar nga pozita dhe opozita, ngase ai ndodhet në mes, dhe gurët që po hedhin këto të dyja rëndom po lëndojnë kurrizin e dërrmuar të njeriut tonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›