Polonia, shtatë ditë zi për humbjen e elitës politike të vendit
Polonia mbajti dje dy minuta heshtje për vdekjen e Presidentit Lech Kaczynsky. Në të gjithë vendin u dëgjuan vetëm kambanat e kishave dhe sirenat e policisë, ndërsa trupi i pajetë i Presidentit mbërriti në Varshavë. Detyra e vështirë për identifikimin e trupit i takoi vëllait binjak të Presidentit të ndjerë, Jerusllav Kaczynski. Arkivoli me trupin e pajetë të Presidentit Kaczynski u kthye në atdhe të dielën në mesditë, pas përshëndetjes së fundit në aeroportin e Smolensk nga ana e Kryeministrit rus, Putin, dhe ambasadorit polak në Moskë, Jerzy Bahr, që vendosën trëndafila të kuq mbi arkivol. I mbështjellë me flamurin polak, arkivoli mbërriti në aeroportin ushtarak të Okecie-s, në Varshavë, me një avion të flotës aeronautike polake. Për ta pritur kishin dalë familjarët e Kaczynskit (vëllai binjak dhe e bija), si dhe autoritetet më të larta të shtetit, mes së cilëve Kryeministri Tusk dhe kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit, Bronislaw Komorowski. I pranishëm edhe presidenti i Parlamentit Europian, polaku Jerzy Buzek. Pas një ceremonie të shkurtër fetare, trupi i Presidentit u dërgua për në pallatin presidencial, ku parashikohet një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e qytetarëve për t’i bërë nderimet e fundit. Ndoshta për këtë arsye autoritetet kishin vendosur që kortezhi të kalonte nga aeroporti në pallatin presidencial, në qendër të Varshavës, ku gjatë natës dhjetëra mijëra njerëz ishin mbledhur për të vendosur lule e qirinj në shenjë dhimbjeje dhe nderimi. Pasditen e djeshme trupi i Presidentit u “ekspozua” për publikun. Pjesët e tjera të trupave të 95 viktimave, mes të cilave edhe të gruas së Kaczynskit, Maria (ende e paidentifikuar), u dërguan në Moskë për t’u identifikuar nga familjarët. Televizionet treguan pamje nga qytete të ndryshme të vendit ku qytetarët qëndruan në heshtje kudo që ndodheshin, ndërsa dëgjoheshin vetëm sirenat e policë dhe kambanat e kishave. Presidenti i përkohshëm i vendit, Bronislaw Komorowski, shpalli shtatë ditë zie kombëtare. Flamuri polak u ul në gjysmështizë në të gjitha institucionet publike.
Ndërkaq, rezultat e para të hetimit rus kanë treguar se rrëzimi i avionit “Tupolev 154” nuk ka ndodhur për probleme teknike. Kreu i komisionit hetimor të krijuar në Moskë deklaroi se analiza e bisedave mes pilotëve të avionit presidencial polak dhe kullës së kontrollit ruse lejon përjashtimin e hipotezave se aksidenti ka ndodhur për shkak të ndonjë problemi teknik. Ndërkaq, ekspertët rusë dhe polakë po analizojë përmbajtjen e kutive të zeza. “Regjistrimi i bisedave zanore dhe të dhëna të tjera janë dorëzuar në një laborator, ku në praninë e përfaqësuesve të prokurorisë polake ka nisur puna për analizën e tyre”, ka shpjeguar ministri i Transporteve të Moskës. Ajo që duhet vlerësuar ka të bëjë me faktin nëse vërtet pilotët polakë të avionit “Tupolev 154” nuk i kanë dhënë të drejtë kullës ruse të kontrollit dhe pavarësisht mjegullës së dendur, janë përpjekur të bëjnë ulje të detyruar. Sipas analizave të para, shkaku direkt i rrëzimit mund të kenë qenë majat e pemëve që nuk mund të shiheshin për shkak të mjegullës së dendur, ku një krah i avionit mendohet se ka mbetur i mbërthyer pas tyre. Putin që ndodhet edhe në krye të hetimeve, deklaroi: “Kjo është një tragjedi e tmerrshme. është tragjedi e Polonisë, popullit polak dhe e jona. E ndajmë vuajtjen me ju”. Ndërkaq, Kryeministri Donald Tusk anuloi vizitën e tij në Kanada dhe Uashington, e programuar për këtë javë. Mesha të shumta fetare për viktimat janë parashikuar gjatë gjithë javës së zisë. Për momentin nuk dihet se kur do të bëhet ceremonia e varrimit për viktimat. Komisioni polak i caktuar për të hetuar mbi shkaqet e aksidentit u nis për në Smolensk, për të punuar me komisionin rus, drejtuar nga Kryeministri Vladimir Putin. Tragjedia e ndodhur mëngjesin e së shtunës është konsideruar si më e tmerrshmja për Poloninë pas Luftës së Dytë Botërore. “Tupolev Tu-154” u përplas në një pyll rreth dy kilometra larg qytetit perëndimor rus të Smelenskut. Në avionin presidencial udhëtonin 97 persona, shumica pjesë e elitës intelektuale të vendit. Asnjë prej viktimave nuk arriti të mbijetonte. Bashkë me Presidentin Kaczynski, humbi jetën gruaja e tij, Maria, shefi i ushtrisë, guvernatori i bankës qendrore, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, zëvendëspresidenti i Dhomës së Ulët të Parlamentit, deputetë të Partisë Ligj dhe Drejtësi, dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë. Në bordin e avionit ndodheshin edhe disa nga familjarët e viktimave të masakrës së Stalinit, që shoqëronin delegacionin e lartë qeveritar, për në Rusi. Vdekja e Presidentit polak, së bashku me shumë zyrtarë të lartë të vendit dhe të partisë, e ka ndryshuar krejtësisht natyrën e politikës polake. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale ishin parashikuar për t’u mbajtur në tetor, por pas kësaj humbjeje ato do të zhvillohen brenda një periudhe dymujore, sipas Kushtetutës. Kjo ngjarje i çel rrugën një gjenerate të re njerëzish në krye të vendit. Shumë deputetë të partisë “Ligj dhe Drejtësi” humbën jetën në këtë aksident dhe kështu do t’u hapet rruga të rinjve, të cilët do t’i japin më shumë forcë partisë, siç thonë analistët. Qeveria duhet të gjejë komandantët e forcave të armatosura, do të shfaqen figura të reja, një gjeneratë më moderne. Parlamenti do të votojë kreun e ri të Bankës Qendrore, në vend të Slavomir Skorsipekut, apo zyrtarëve të tjerë, si avokatin e popullit etj. Efektet kryesore të tragjedisë do të vijnë në marrëdhëniet me Rusinë. Vdekja e Kaczynskit dhe ndihmësve të tij është një goditje e rëndë për politikën e Polonisë. Por për analistët nuk do të kërcënohet stabiliteti i vendit anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Europian.
#