Vizat, Lazarati shqetësim për ekspertët e Komisionit Europian

Draft-raporti i ekspertëve të Komisionit Europian për Shqipërinë, në pjesën e trafikut të qenieve dhe drogës, thotë se implementimi i strategjisë kombëtare për drogat ka përmirësuar situatën në këtë fushë. Ekspertët thonë se me urdhrin numër 26 të Kryeministrit, datë 3 shkurt 2010, është ngritur një grup pune që do të paraqesë një draft mbi funksionimin e Komitetit Kombëtar Koordinues në Luftën kundër Drogës, ashtu sikurse ngritjen e një qendre për grumbullimin e të dhënave. “Në këtë moment është ende herët për të vlerësuar mbi efektin e këtyre vendimeve dhe se duhet kohë ende”, thuhet në dokumentin konfidencial të siguruar nga “Shqip”. Megjithatë, vijojnë ekspertët, eficienca në luftën ndaj trafikut të narkotikëve duhet të përmirësohet edhe përmes shtimit të burimeve njerëzore në nivel qendror dhe lokal. Të dhënat e ulëta në lidhje me përfshirjen e grupeve të krimit të organizuar në këtë çështje mund të jenë të lidhura sipas ekspertëve, pikërisht me mungesën e personelit të mjaftueshëm për të luftuar këtë fenomen. Draft-raporti shqyrton edhe implementimin e planit për parandalimin e kultivimit të narkotikëve. “Ky problem është i përqendruar jo vetëm në Jug të Shqipërisë, por edhe në Veri të vendit”, konstatojnë ekspertët. Plani i veprimit parashikon decentralizimin e përgjegjësive me qëllim limitimin dhe çrrënjosjen e plantacioneve. Statistikat tregojnë për një rënie të vogël të zonës së kultivuar (u raportua se u çrrënjosën 125,129 rrënjë gjatë vitit 2009, duke çuar në ulje me 14% të zonës së kultivuar). Megjithatë këto statistika nuk duket të jenë mbështetur mbi metoda analitike të qëndrueshme. Gjithashtu nuk duket të ketë programe të veçanta për promovimin e kultivimeve alternative”, thuhet në draft-raport. Ekspertët këmbëngulin në dokument se është shumë e rëndësishme që të koordinohen përpjekjet në drejtim të luftës ndaj kultivimit të kanabisit. “Zona kryesore e prodhimit të kanabisit, fshati i Lazaratit (rajoni i Gjirokastrës), mbetet ende kryesisht e pakalueshme nga forcat e policisë dhe vazhdon të jetë një problem për sigurinë publike në një zonë kaq të rëndësishme”, thuhet në raportin konfidencial. Vlerësohet se bashkëpunimi midis qendrës dhe policive rajonale ka njohur përmirësim krahasuar me situatën e vitit 2009, megjithatë rezultatet konkrete kërkojnë kohë për t’u parë në perspektivë. “Duke konsideruar faktin se misioni në 2010 nuk vizitoi policitë kufitare dhe doganat, ishte e pamundur që të krijohej një ide për nivelin e vështirësive mes policisë dhe këtyre strukturave tjera. Policia shqiptare vazhdon të ketë një bashkëpunim me njësitë e huaja të zbatimit të ligjit në fushën e antidrogës, por konstatohet se një pjesë e mekanizmave ligjore nuk janë në përdorim. Në veçanti përmendet Konventa e Vjenës, e firmosur në vitin 2006 dhe që parashikon se vendet e Ballkanit mund të ndërmarrin veprime jashtë vendit (survejimi i aktivitetit në vijat kufitare, kontrolli i dërgesave, krijimi i njësive hetuese)”, thonë ekspertët. Në pjesën ku flitet për moratoriumin antiskaf, ata konstatojnë se gjatë zbatimit të tij, trafikantët kishin tendencën që të shfrytëzonin mjetet lundruese me origjinë nga Greqia dhe Italia. “Megjithatë centralizimi i kontrollit kufitar me krijimin e një njësie të veçantë në Durrës dhe përdorja e mjeteve lundruese të shpejta mund të sjellë përmirësime në këtë drejtim”, thuhet në draft-raport. Pika e fundit e dokumentit flet për procedurat e lëshimit të pasaportave biometrike dhe verifikimin e personave të kërkuar nga drejtësia apo Interpoli. Në këtë drejtim vihet re se pas një udhëzimi të ministrit të Brendshëm për lëshimin e pasaportave biometrike dhe një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për verifikimin e personave në kërkim që aplikojnë për pasaporta biometrike, procedurat janë qartësuar. Pas mbërritjes së aplikimit për pasaportë nga koncesionari, Policia e Shtetit bën verifikimin e aplikimeve dhe vetëm për personat që figurojnë në listat e Interpolit ata bllokojnë lëshimin e pasaportës dhe vënë në lëvizje policinë. “Megjithatë, nisur nga fakti se kjo procedurë ka filluar të zbatohet së fundi, lind pyetja logjike se sa pasaporta janë lëshuar pa u kryer ky verifikim”, nënvizohet në draft-raport.
#