E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhelal Tafaj, vlerësohet me Naim Frashërin e Artë

Durrës Aktori durrsak vlerësohet për 35 vitet e karrierës në skenën e “Aleksandër Moisiut”

Këtë fundjavë, artistë, pushtetarë dhe qytetarë durrsakë janë mbledhur dhe uruar së bashku aktorin Xhelal Tafaj, për urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, i akorduar nga Presidenti i Republikës. Artisti durrsak është vlerësuar për 35 vitet e karrierës në skenën e “Aleksandër Moisiut”. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast merrnin pjesë emra të njohur të skenës dhe kinematografisë, si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, të cilët kanë uruar aktorin për këtë nderim. Xhelal Tafaj është një nga emrat më të spikatur të teatrit profesionist të Durrësit, institucion me të cilin ndan të njëjtin numër vitesh, 57. Ai numëron rreth 60 role në teatër dhe shumë të tjera në kinematografi. Ndër rolet e tij të spikatura renditen ato në komedinë “Shi në plazh”, “Martesa”, “Ylli pa emër”, “Nemesis”, “Shtëpia e lepujve”, “Këngë dashurie me korbat”, rolet në filmat “Shokë të një skuadre”, “Mysafirët”, “Kronika e një nate”, “çeta e vogël”, “Një ndodhi në port” etj. Kolegë dhe të afërm ndanë me të emocionet e një vlerësimi që vjen si rezultat i kontributit, përkushtimit dhe korrektësisë në ushtrimin e profesionit të aktorit. Aktori i mirënjohur, Birçe Hasko, njëkohësisht pedagog i Xhelalit dhe djalit të tij, duke qeshur tha se këtë herë do t’i rezervonte ish-studentit të vet dhe kolegut një vërejtje të parë: “Ai nuk të lë shteg t’i bësh vërejtje”. Vlerësime mori edhe nga aktorja e madhe e skenës shqiptare, Tinka Kurti, dhe kolegët e tij Hysen Bashhysa, Sanije Hoti etj., ndërsa regjisori Haxhi Rama tha: “Xhelali që herët ishte në kërkim të vetes së tij në art. Ai e nisi rrugën e tij si violinist, provoi dhe si këngëtar e më pas në Teatrin e Kukullave, për të qëndruar gjatë si aktor, aty ku dhe gjeti veten”. Ndërsa ministri i Kulturës dhe njëkohësisht deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, duke përshëndetur aktorin në këtë çast të rëndësishëm të jetës, tha se ndonëse ai ka luajtur ndër të tjera dhe në shfaqjet “Ylli pa emër” dhe “Vajza pa prikë”, “Xhelalin e kemi me emër dhe shumë prikë”. Xhelal Tafaj lindi në Tiranë, por për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të së ëmës, familja vendosi që ai të rritet në Durrës në familjen e tezes së vet që në moshën 1-vjeçare. Një vit më pas ngel jetim nga e ëma dhe jeta e tij lidhet përfundimisht me Durrësin. Në gusht të vitit 1976, ai emërohet si aktor i teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu”, në skenën e të cilit ishte ngjitur më parë si amator. Që atëherë ai nuk është shkëputur nga skena dhe kur në vitet ‘90 mori poste drejtuese në departamentin e kulturës në bashki dhe si drejtor i Pallatit të Kulturës disa vite më vonë. Në mbyllje të ceremonisë që u shoqërua dhe me tingujt muzikorë në violinë të së bijës Romina, Xhelal Tafaj, i emocionuar pranoi se ishte një mbrëmje krejt e veçantë për të dhe se vlerësimin e ndante me të gjithë kolegët e tij, Bashhysën, Hotin dhe regjisoren e teatrit Driada Dervishin, pasi “teatri është art kolektiv”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›