Polonia shtyn zgjedhjen e Presidentit të ri
Polakët votuan dje për të zgjedhur kryetarin e shtetit, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vdekja e Presidentit Lech Kaczynski, në një aksident ajror në afërsi të qytetit rus Smolensk më 10 prill. Por, emri i presidentit të ri të vendit do të mësohet pas dy javësh, më 4 korrik. Sipas exit-polleve të para Bronislaw Komorowski, arriti të merrte rreth 41% të votave, por jo shumicën absolute për tu zgjedhur President i vendit, ndërsa kundërshtari i tij Jaroslaw Kaczynski 35,8%.
Qendrat e votimit u hapën në orën 06.00 të mëngjesit dhe qëndruan të hapura deri në orën 20.00. Kandidatët për detyrën e kreut të ri të shtetit ishin dhjetë, por sipas sondazheve të fundit, para zgjedhjeve dy favoritët kryesorë prej kohësh konsideroheshin Bronislaw Komorowski, 58 vjeç, kryetar i Parlamentit që morri funksionet e kreut të shtetit menjëherë pas aksidentit dhe Jaroslaw Kaczynski, 61 vjeç, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, vëllai binjak i Presidentit të ndjerë. Sipas të dhënave të publikuara pjesëmarrja në zgjedhje, ishte rreth 30 për qind, një pjesëmarrje kjo mjaft e ulët në krahasim me zgjedhjet e shkuara. Ashtu si ishte parashikuar, nëse asnjë prej kandidatëve nuk merr më shumë se 50 për qind të votave, më 4 korrik pritet të zhvillohet balotazhi. Kanalet televizive vendase publikuan exit pollet e para shumë shpejt, ndërsa rezultatet përfundimtare të Komisionit Kombëtar Elektoral do të dalin vetëm sot në mbrëmje. Numri i polakëve me të drejtë vote është 30.5 milionë, ndërsa numri i qendrave të votimit më shumë se 25 mijë. Në Poloni, në disa komuna, për shkak të përmbytjeve të fundit që ka përfshirë 3 për qind të territorit vendas përgjatë lumenjve Vistola e Oder, ka qenë e nevojshme organizimi i qendrave të votimit nëpër kapanone. Jashtë Polonisë janë ngritur 263 qendra, nga të cilat 41 në Britaninë e Madhe, 28 në SHBA dhe 8 në Afganistan, në dispozicion të ushtarëve të kontingjentit që merr pjesë në misionin e NATO-s. Megjithatë janë të shumtë polakët që mendojë se vendi do të ishte më mirë në duart e Bronislaw Komorowski të platformës liberale të djathtë që mban pushtetin. Mes atyre që mendojnë kështu është edhe Lech Walesa, babai i revolucionit demokratik, ish-kreu i shtetit dhe fitues i çmimit “Nobel” për paqen. “Unë kam një kandidat të preferuar dhe e kam pasur që nga fillimi. Sipas meje kjo është koha e dialogut, e kompromisit, e kuptimit reciprok dhe e marrëveshjeve. Për këtë arsye zgjedh njerëz në lartësinë e detyrave aktuale. Komorowski është një njeri tillë. është i arsyetueshëm, i ndjeshëm, është njeri i kompromisit e dialogut dhe shumë i përshtatshëm me kohën bashkëkohore. Por edhe Kaczynski është një nga kandidatët kryesorë për këtë post. Ai është një njeri që po ndryshon, por në mënyrën që i pëlqen atij, jo ashtu si njerëzit do të donin që ai të ndryshonte. është kapriçioz, i manipulueshëm dhe kjo është vërtet e rrezikshme dhe e paparashikueshme për një kryetar shteti. Nuk mund të mbështesim një rrugë të paqëndrueshme si ajo e Kaczynskit”, tha ai. Walesa pranon se nuk beson në imazhin e zbutur të Kaczynskit dhe beson se tragjedia e Smolenskut do të influencojë në rezultatet e zgjedhjeve. “Kaczynski ka një imazh të përshtatshëm për momentin, por ne nuk mund ta vendosim Poloninë në rrezik në këtë mënyrë. Duhet të japësh zgjedhje apo propozime të besueshme kur ke në dorë të ardhmen e të tjerëve. Unë mendoj se tragjedia e prillit do të ndikojë te rezultatet e zgjedhjeve dhe kjo nuk është diçka e mirë, sepse hedh një hije mbi objektivitetin e këtyre zgjedhjeve polake”. Ai i njeh mirë dy kandidatët dhe nuk kursen të tregojë: “Para se Lech Kaczynski të zgjidhej unë e kam thënë se Kaczynskit mund të sjellin vetëm fatkeqësi kudo që të shkojnë. Nëse kërkojmë lumturinë nuk mund t’ia lejojmë vetes të votojmë për Kaczynskin, sepse ai është një njeri që e përndjekin fatkeqësitë. Kur Napoleoni emëronte gjeneralët, ai i pyeste: A je një njeri me fat? Nëse përgjigjja ishte jo, atëherë ai replikonte: Atëherë nuk ke për të qenë kurrë një gjeneral. Mendoj se ky rregull duhet aplikuar edhe këtu”.