E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmeti Multikulturor

U çel dje festivali ndërkombëtar “Përmeti multikulturor 2010”. Festivali i cili do të zgjasë për tri ditë me radhë, zhvillohet për të dhjetin vit radhazi në Përmet. Marrin pjesë grupe nga Shqipëria e vende të ndryshme të rajonit. Përveç koncerteve nuk do të mungojnë edhe aktivitete të ndryshme kulturore Takime festive mes popujve të rajonit

U çel dje në Përmet festivali ndërkombëtar “Përmeti multikulturor 2010”. Festivali i cili do të zgjasë për tri ditë me radhë, zhvillohet për të dhjetin vit radhazi në qytetin me një traditë të kahershme në fushën e kulturës materiale e shpirtërore. Grupe nga Shqipëria, por edhe nga vende të ndryshme të Ballkanit, e më gjerë, të cilët përfaqësojnë edhe grupe etnike e minoritete, do të jenë pjesë e veprimtarive që do të zhvillohen përgjatë tri ditëve në qytetin e Përmetit. Këtë edicion të festivalit ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor 2010” do të marrin pjesë katër grupe e ansamble nga vendi mes të cilave Sazet e Kolonjës, grupi artistik i Shoqërisë Kulturore Qyprillinjtë e Roshnikut Berat, një ansambël i Qendrës Kulturore të fëmijëve të qytetit të Librazhdit, si dhe një grup i cili përfaqëson komunitetin çam i cili jeton në zonën kufitare të Konispolit. Nga vendet e tjera merr pjesë ansambli “Shote Galica” i Drenasit Kosovë, një ansambël maqedonas që vjen nga qyteti i Ohrit, një ansambël akademik që vjen nga qyteti i Sofjes Bullgari, si dhe një formacion muzikor, i cili vjen nga qyteti i Janinës në Greqi. Koncertet do të jepen për tri net në sheshin e qytetit dhe do të shoqërohen edhe me veprimtari të tjera. Në këtë festival veç minoritetit grek e maqedonas që jeton në Shqipëri, kanë marrë pjesë edhe grupe të pakicave kulturore si të arumunëve, romëve, egjiptianëve etj. Gjatë viteve të shkuara nuk ka munguar në këtë festival edhe minoriteti turk e boshnjak që jeton në Kosovë.

Përpos koncerteve, të cilat nisin me një manifestim kulturor në sheshin e qytetit në Ditën Botërore të Muzikës, për të pranishmit nuk do të mungojnë edhe mjaft aktivitete të tjera plotësuese të menduara nga organizatorët. Në këtë kuadër në mjediset e këshillit bashkiak të Përmetit, piktori Gjergji Tole do të çelë një ekspozitë pikture me temë “Motive nga vendlindja”. Më pas në sheshin Tefta Tashko të qytetit, atje ku ndodhet edhe busti i këngëtares do të mbahet një homazh në nderim të saj. Veprimtaria çel të gjitha organizimet që janë menduar të kryhen në vazhdim, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Nuk do të mungojnë edhe promovimet e librave në këtë “Përmet Multikulturor”. Vepra e poetit të rilindjes kombëtare Andon Zako çajupi, botim i shtëpisë botuese “Toena” do të promovohet gjatë këtyre ditëve. Po kështu, nuk do të mungojë edhe paraqitja e librit më të ri të poetit e publicistit Bardhyl Londo nën titullin “Tempulli brenda e jashtë”. Përfaqësues të grupeve pjesëmarrëse nga Kosova e Bullgaria do të bëjnë një vizitë pranë disa monumenteve kulturore e natyrore ku do të mbjellin edhe “pemët e miqësisë”. Në kishën e Shën e Premtes në kuadrin e vitit ndërkombëtar të diversitetit kulturor do të ketë një diskutim në lidhje me këtë temë. Ndërkaq, në kuadrin e 53-vjetorit të themelimit të shkollës së mesme të Përmetit do të shfaqet një film dokumentar i titulluar “Shkolla e mesme Përmet – emblemë e qytetarisë përmetare”. Këto veprimtari të larmishme krijojnë një mozaik të plotë të tematikës së festivalit dhe sjellin një tip të ri manifestimi kulturor kombëtar e ndërkombëtar. Ky festival plotëson kriteret e organizatës botërore CIOFF, e cila zhvillon veprimtari kulturore në mjaft vende të botës duke nxitur frymën e paqes dhe diversitetit kulturor. Festivali është mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe nga bashkia e qytetit. “Përmeti multikulturor 2010” ka për qëllim të të përcjellë nëpërmjet trashëgimisë kulturore dhe veprimtarive të tjera mesazhin e paqes e dashurisë mes popujve të rajonit, të gjallërojë jetën kulturore e artistike të qyteteve periferike, por edhe të nxisë biznesin e turizmin kulturor.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›