E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat nga gjobat, 14 milionë USD

Ministria e Financave fsheh shifrat për “gjoba dhe sekuestrime”. Ecuria e dy viteve

Mungesë totale informacioni në statistikat e Ministrisë së Financave sa i takon zërit të ardhura nga “gjobat dhe sekuestrime”. Të paktën në dy vitet e fundit, ekspertët e ministrisë janë përpjekur t’i fshehin të dhënat duke bërë lojë fjalësh, ku herë i gjen të mbledhura me dividentin, herë të ndara veçmas, e në raste të tjera vendosen si shifra pa identitet. Mungesa e një treguesi të saktë rreth të ardhurave që krijon qeveria nga gjobat që i vendos biznesit nuk u jep mundësi analistëve apo ekonomistëve të kuptojnë ecurinë e të dhënave. Po të shikojmë tabelën 5-mujore 2010, Ministria e Financave i ka listuar të gjithë zërat e të ardhurave, si nga taksat, dogana, tatime, bashkitë dhe lloji i detyrimit që vjelin, fitimin që merr nga Banka e Shqipërisë, nga kontributet, taksat kombëtare dhe doganore të importit, pra të gjitha, duke përjashtuar vetëm njërin zë, atë të gjobave, që në fakt e ka emërtuar në fund të listës “të tjera”. Duke e krahasuar me tabelën e vitit 2009, po për të njëjtën periudhë, të publikuar vitin e kaluar, Ministria e Financave, të ardhurat nga gjobat dhe sekuestrimet i kishte bashkuar me realizimin nga dividenti (detyrimet që paguajnë në shtet INSIG, KESH, “Albpetrol” etj), duke mos dhënë mundësi dallimi mes njëra-tjetrës. I njëjti format tabele, por i publikuar në janar 2010, që fliste për totalin e gjithë vitit 2009, zëri i të ardhurave nga gjobat ndaj biznesit nuk ishte më i vendosur bashkë me dividentin, por i hequr nga lista, ose më saktë, i fshehur me termin “të ardhura nga burime të tjera”.

Të gjitha këto veprime bëhen për të mbuluar realitetin në raportin që qeveria ka me biznesin. Duke bërë përllogaritjet e duhura, pasi është zhvishet nga të gjitha burimet e të ardhurave, kuptohet se pjesa e mbetur i takon zërit gjoba dhe sekuestrime, të cilat në dy vitet e fundit kanë pasur rritje të konsiderueshme.

Fshehja e të ardhurave nga gjobat e sekuestrimet që i vendosen biznesit vjen në një periudhë kur shifrat e fundit flasin për rritje deri me 300 për qind të arkëtimeve në kurriz të privatit. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2010, tatimet dhe doganat, i kanë siguruar buxhetit të shtetit rreth 14 milionë dollarë të ardhura nga gjobat, me një realizim 446 për qind. Plani për këtë zë në buxhet ishte për 349 milionë lekë të ardhura, por tatimet dhe doganat kanë punuar me rendiment të lartë, duke mundësuar rritje trefish. Për të gjithë vitin 2010, ministria parashikonte 1 miliard lekë, dhe duke parë ecurinë e deritanishme, kemi një plan të realizuar brenda 5-mujorit, madje e ka kapërcyer me 50 për qind.

Duke parë shifrat e vitit 2009, të ardhurat nga gjobat nuk janë më zë më vete, “të tjera”, por janë bashkuar me të ardhurat nga dividenti, duke mos pasur mundësi dallimi sesa ka qenë niveli. Kurse për të gjithë vitin 2009, specialistët e Ministrisë së Financave kanë përdorur termin e mëparshëm, që nuk tregon hapur zërin gjoba, por e lë te pjesa “të tjera”. Të dhënat flasin për 3 miliardë e 500 milionë lekë të ardhura nga gjobat. Në statistikat e viteve të kaluara, ministria dilte hapur në deklarimin e të ardhurave nga gjobat, por rritja e arkëtimeve si pasojë e ligjit famëkeq (procedurat tatimore), ndryshe nga qëndrimet për të pasur një klimë pozitive me biznesin, bënë të mundur fshehjen e të dhënave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›