Poni: Grupi këshilltarëve të PD mbështet nismën e qeverisë për sheshin “Skënderbej” Ferdinand Poni

Kryetari i grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, deklaroi dje se do të mbështesin vendimin e Qeverisë për të ndërhyrë në asfaltimin e sheshit “Skënderbej”. Përmes një deklarate për shtyp, ai tha se përkrahja e tyre do të shfaqet që në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. “Kjo gjendje e mjerueshme e sheshit “Skënderbej” e denoncuar sa e sa herë nga këshilltarët e Bashkisë së Tiranës, është krijuar për shkak të nënshtrimit të Edi Ramës ndaj politikes dhe klaneve mafioze të Kokëdhimës e kompani. Aq i turpshëm e dëmtues është ky nënshtrim sa ka devijuar, ka penguar edhe vetë planin francez të shpallur e proklamuar me aq bujë nga Rama”, deklaroi Pone. Sipas tij, në mbledhjen më të parë që do thërrasin, ata do të solidarizohen edhe formalisht e juridikisht me këtë kontribut të qeverisë shqiptare, për qytetarët e Tiranës, për qytetarët e Shqipërisë; për t’i larguar ata nga purgatori apo ferri i Ramës dhe shoqërive te tij, të ndërtimit e interesit.