E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni kësaj here jo muzikë popullore, zgjedh ritmin dance



“Një fjalë e fundit” titullohet kënga në ritmet dance me të cilën këngëtarja vlonjate, Poni do të të rishfaqet shumë shpejt në kanalet muzikore. është një dalje e pritur kjo nga fansat e këngëtares, e cila ka vendosur të bëjë një shkëputje të qëllimtë nga skena, për t’u rikthyer ndryshe. Këngëtarja bashkë më këtë këngë të realizuar nga “Big Basta” vjen me një album të ri që do ta publikojë shumë shpejt në tregun muzikor. Për një kohë të gjatë ka lënë mënjanë çdo kokëçarje me këngë e klipe të reja, dhe i është përkushtuar jetës koncertore në qytetet e jugut. Verën e kaluar, këngëtarja i planifikoi koncertet e saj vetëm në jug të vendit. Kjo pasi dihet që këngët e saj më shumë sesa publik në jug, nuk mund të gjejnë askund tjetër. Në muajt e verës ajo përshkon gjithë bregdetin me koncerte në plazh. Kështu ajo i rikthehet sheshxhirimit pas më shumë se një viti, ku xhiroi klipin e saj në Maqedoni e Ulqin. Në vitin 2008 lançoi tri klipe; “Hopa, hopa”, “ç’është dashuria” dhe “Labëri, moj labëri”, këngë nga albumi i saj i fundit. Poni u rikthye me sukses me klipin “Labëri, moj labëri” dhe më pas me “Hopa, hopa”, pas bashkëpunimit me regjisorin maqedonas Aleksandër, i cili solli imazhin e një nuseje të bukur shqiptare, që martohej në manastir. Ajo ka pohuar gjithashtu se ka hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga turbofolku, për t’iu përkushtuar tani e tutje muzikës ritmike dhe asaj tradicionale shqiptare. Gjatë vitit të fundit Poni është treguar shumë e kujdesshme për të rrëfyer në media të reja nga jeta e saj private, duke vendosur të qëndrojë sa më larg medias, duke mos pranuar të japë as intervista.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›