Poposki: Vendime guximtare dhe vizionare të Thaçit dhe Daçiçit
Vendime vizionare të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.
Kështu e ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki.
Në deklaratën me shkrim, Poposki ka përshëndetur guximin e dy kryeministrave, si dhe angazhimin e përfaqësues së BE-së, Catherine Ashton.
Ata treguan se zgjidhjet mund të arrihen vetëm me dialog të ndërsjelltë, me respektimin e vlerave evropiane dhe me respekt reciprok. Me vetë faktin se ndërtimi i marrëdhënieve fqinjësore, i stabilitetit dhe i së ardhmes euroatlantike, janë përcaktim afatgjatë dhe i vazhdueshëm i Republikës së Maqedonisë, MPJ përshëndet të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, thuhet në deklaratën me shkrim.
Sipas kryediplomatit, marrëveshja Kosovë-Serbi inkurajon të gjithë dashamirët e stabilitetit dhe të prosperitet të Ballkanit.
Interesi i Maqedonisë është përparimi i të gjitha shteteve në proceset integruese. Ky moment është vërtet për tu përshëndetur, ka deklaruar Poposki.