Popull mosmirënjohës!
-Përsiatje për kryeartikullin e RD-së
Nga Ezop Dermishi
Çfarë donte më shumë ky popull që të ishte i kënaqur? Rrugët ia bëri partia me dy korsi, më të mirat në Evropë. Tunele historike, më të mirat në Ballkan; reforma qeveritare që duhet t’i marrë shembull edhe Amerika, siç tha edhe Ramsfeldi në prag të zgjedhjeve; rrogat dhe pensionet ia rriten, duke ua kaluar gjashtë vendeve të BE-së, pavarësisht se nuk përmendën emrat e vendeve që kemi lënë pas; ujë jo vetëm për të pirë, po edhe për të notuar shkodranet, që, sipas Zhozefinës, ishte si në Venecie; zhvillim ekonomik i paparë ndonjëherë në planet, pavarësisht se ata që merrnin bukë me listë nuk e ndjenin dhe nuk e kuptonin; internet në çdo shkollë e çdo familje, pavarësisht se këto familje s’kishin shtëpi për ta instaluar; punë sa të duash, po që ky popull dembel nuk donte të punonte; një administratë e shkëlqyer, që jo vetëm punonte nëpër zyrat e shtetit, po mbushte dhe sheshet e mitingjeve të Udhëheqësit të madh, më të madhit në historinë e këtij vendi; fermerë dhe biznesmenë që iu bënë duart me kallo, jo vetëm nga puna, po edhe nga duartrokitjet në takimet me Udhëheqësin; një polici e shërbim të fshehtë që, vërtet nuk merrej me vrasjet dhe krimin në rritje, po që zbulonte në çdo skutë që të fshihej këdo që fliste kundër kryeministrit të lavdishëm, pavarësisht se thonë që në Shqipëri më shpejt të mbërrin pica se policia; qeveritarë që i kishin zili amerikanë dhe evropianë bashkë, që vërtet nuk punonin për këtë popull, po për veten dhe familjet e tyre kanë bërë të pamundurën dhe qershia mbi torte, një kryeministër që nuk ka parë historia jonë që në kohë të Skënderbeut, një rritës kali dhe një zog mali, siç ka thënë vetë, një burrë shteti vital, që i ka hipur Murit të Madh kinez së prapthi, në një kohë që asnjë kryeministër i botës nuk ia mbante të ngjiste dy shkallë, që ka thyer rekordin e zhytjes në det, rekord të vendosur dhe të matur nga ai vetë, një kryeministër që ulej këmbëkryq me popullin për të dëgjuar hallet e tij, po që populli i thoshte s’kemi asnjë hall, asnjë problem po vetëm një kërkesë të thjeshtë kishte: që Udhëheqësi i tyre i Madh të kishte jetë të gjatë në krye të partisë dhe të qeverisë, një kryetar qeverie që qytetarin e kishte të parin, për t’ia numëruar në lule të ballit, nëse i afrohej zyrës së tij për të protestuar…
Po çfaj ka nëna Parti Demokratike dhe xhaxhi Sali nëse populli e pëson si ajo historia që tregon Aristoteli i lashtë për një njeri që i vendosën në largësi të barabarta ujin dhe bukën dhe ai vdiq nga etja dhe uria.
Ja pra, ky popull i kishte të gjitha. Partia e Saliut e nxori nga baltovina ku e kishin lënë social-komunistët, e ngriti aq lart, sa francezët, anglezët, grekët, italianët e shikonin nga poshtë, duke u lëshuar goja lëng, ndërsa gjermanët krenoheshin që e kishin në krah, në ecjen triumfale drejt planetit blu. Ishte partia me Saliun në krye që e bëri këtë popull të lumtur dhe të qeshur, pavarësisht se ai qeshte vetëm sa herë dëgjonte në ekran Udhëheqësin e Madh dhe të pagabueshëm.
Dhe pas këtyre të mirave që nuk kanë të sosur, ky popull tregoi se nuk është mirënjohës, nuk di të vlerësojë jo vetëm mirëqenien dhe faktin që miliona turistë në vit vërshojnë këtu për ta shijuar këtë mirëqenie, po as heqjen e vizave nga Partia e lavdishme Demokratike, me Dr.prof Sali Berishën në krye, pavarësisht se gjendja e tyre ekonomike nuk u lejonte të udhëtonin anembanë botës; as futjen në NATO, një ëndërr shekullore e këtij populli, pavarësisht se NATO-ja është krijuar disa dhjetëvjeçarë më parë.
Popull bukëshkalë. Ta ushqesh e ta mbash prej dore drejt parajsës dhe të mos ta dijë për nder? Pavarësisht se të shkosh në parajsën e premtuar, duhet të udhëtosh me makinën e funeralit. Kjo njollë turpi që na vuri ky popull më 23 qershor, nuk do të shlyhet nga kujtesa e këtij kombi. S’ka gjë më të keqe të mohosh sukseset madhështore të partisë, arritjet e paarritshme nga asnjë qeveri në botë, lodhjen e madhe deri në lajthitje të Burrit më të madh të shtetit të të gjitha kohërave, megjithëse Sofokliu i lashtë ia fuste kot kur thoshte se nuk ka shtet atje ku sundon një njeri. Turp, për nder. E bëri si ajo puna e lopës, që e mbushi kovën me qumësht dhe pastaj i dha një shkelm.
Prandaj i jap të drejtë gazetës së Partisë Demokratike, që një ditë pas zgjedhjeve hapej me titullin Mosmirënjohje. Dhe me të drejtë kritikonte popullin për këtë ves të shëmtuar. Pse ore, vetëm për pak demokraci dhe liri më shumë, që Partia e Lavdishme Demokratike e kishte harruar, ju i dhatë dërrmën? Po gjynah mo, nuk hidhet mirëbërësi dhe shpëtimtari yt për ca gjëra kaq të vogla si mungesa e lirisë dhe demokracisë, kur ke përpara gjëra të tjera më të mëdha; autostrada, rrugë fshati, ura, tunele, të gjitha të bëra me lekët e … me lekët tuaj pra.