Ambasada e SHBA: Falenderime për qytetarët që votuan masivisht dhe për kryeministrin në largim
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dalë me një deklaratë në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri, duke përgëzuar pjesëmarrjen masive dhe duke nxitur formimin e shpejtë të qeverisë.
Por ata kanë falënderuar edhe Berishën që ka mbështetur marrëdhëniet me SHBA.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon qytetarët e Shqipërisë, të cilët morën pjesë masivisht në zgjedhjet kombëtare të 23 qershorit 2013 për të riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj të ardhmes demokratike të Shqipërisë.
Me përfundimin së afërmi të numërimit, nxisim institucionet zgjedhore të certifikojnë me shpejtësi zgjedhjet dhe të konfirmojnë vullnetin e popullit shqiptar.
Pas formimit të një qeverie të re, nxisim udhëheqësit dhe zyrtarët shqiptarët të riangazhohen ndaj procesit të integrimit europian dhe reformave të tjera që nevojiten.
Ndonëse pjesa më e madhe e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe numërimi që pasoi u zhvilluan në mënyrë të rregullt, pati disa akte të pafalshme dhune që njollosën frymën e zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse ta përjetojnë diçka të tillë; ata meritojnë të hedhin votën e tyre dhe që ajo të numërohet në një mjedis të sigurt, të lirë nga kërcënimet dhe shtrëngimet.
Falënderojmë kryeministrin në largim Sali Berisha dhe vlerësojmë mbështetjen e tij konsekuente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, thuhet në deklaratë./ep