“Sondazhi i IDRA-s, edhe pse i njëanshëm, konfirmon rezultatet pozitive anikorrupsion”

Zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu, kujton se në vitin 2008 bashkia e Tiranës listohej në vendin e 178 në botë për korrupsion
TIRANE - Qeveria shqiptare ka shprehur rezerva në lidhje me profesionalizmin e treguar në realizimin e një sondazhi mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëria nga IDRA,
së cilës iu referuar dje USAID. Gjithsesi zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, njëherazi Ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se raporti konfirmon edhe një herë rezultatet pozitive të reformave të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit.
“Në bazë të studimit të sipërpërmendur, rezulton se, në Shqipëri përvoja e korrupsionit po ulet në mënyrë të vazhdueshme. Ky është treguesi i vërtetë që mat se sa i përhapur është korrupsioni. Indeksi i mënyrave të viktimizimit nga korrupsioni është ulur nga 1.7 në vitin 2005, në 1.29 në vitin 2009. Rastet e referuara nga të anketuarit, kur policia ka kërkuar ryshfete, janë ulur nga 12.5 % që ishin në vitin 2005, në 7.8 % në 2009-ën. Pra, korrupsioni në polici është ulur me 40%. Edhe më e madhe është ulja e kërkesës për ryshfet nga nëpunësit dhe zyrtarët. Nga 12.2 % në 2005-ën, në 6.1 % në 2009. Pra, korrupsioni i administratës është përgjysmuar. Ryshfeti në arsim është ulur me 300 %. Në 2005, 29 % e prindërve pohojnë se kanë paguar ryshfet për arsimimin e fëmijëve të tyre, ndërsa sot, rastet e ryshfetit në arsim kanë rënë në 9 %. Ryshfeti është ulur gjithashtu edhe në marrjen e dokumenteve nga 29.6 % në 2005-ën, në 19 % në 2009-ën. Saktësoj se numri më i madh i dokumenteve lëshohet nga organet e qeverisjes vendore”, deklaroi Bregu në një komunikim të posaçëm me mediat.
Sipas Bregut korrupsioni në tërësi ka një ulje të ndjeshme prej 9 pikësh, ndërsa në sektorin e shëndetësisë vërehet një ulje nga 39.7 %, në 37.1 %, pra, jo shumë e ndjeshme, por ky do të jetë fokusi ynë në luftën kundër korrupsionit gjatë mandatit të ardhshëm. “Në bazë të studimeve të tjera të paanshme, të cilat datojnë më vonë, sesa ky studim i kryer në vjeshtën e vitit të kaluar, por i bërë publik sot, rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë edhe më pozitive. Më lejoni t’ju kujtoj që në një studim të Bankës Botërore, zhvilluar në të njëjtën periudhë me studimin që publikohet sot, bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj listohen në vendin e 178 në botë për korrupsionin”, tha Bregu.