Porche përplas Fiatin Punto, vdes pasagjeri
Një aksident me pasojë vdekjen e një 70-vjeçari është regjistruar dje në orët e para të mëngjesit në Tiranë. Policia bëri të ditur se rreth orës 03:30 të mëngjesit, te Kthesa e Kamzës një automjet tip Porche ka goditur një makinë Fiat Punto. Si pasojë e përplasjes së fuqishme ka gjetur vdekjen e menjëhershme një nga pasagjerët i Fiatit, i cili është identifikuar si Pëllumb Sulstafa. Ai ka humbur jetën pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që i plagosur lehtë ka mbetur drejtuesi i së njëjtës makinë, shtetasi B. Mersini. Mësohet se nga aksidenti nuk ka të tjerë të lënduar. Nga hetimet paraprake, policia dyshon se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e automjetit tip Porche, me targë AA 996 CJ, që drejtohej nga Haki Lamçe, ndërsa te Fiati Punto udhëtonte një familje që po kthehej nga një dasmë. Sipas policisë, makina Porche ka qenë me shpejtësi, rreth 200 kilometra në orë dhe ka goditur nga pas Fiatin. Pas përplasjes së parë, shoferi i Porche nuk ka mundur të kontrollojë shpejtësinë dhe i ka dhënë goditjen e radhës Fiatit në anën ballore. Efektivët kanë ndalur drejtuesin e automjetit Porche.
Porche përplas Fiatin Punto, vdes pasagjeri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip