E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porosi për udhëtarët: Të kujdesemi për rrugët dhe ambientin

“Ndërtojmë korridorin e gjelbër” kjo ka qenë iniciativa e kompanisë kontraktuese për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova”, Bektel & Enka, që në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Policinë e Kosovës, kanë përcjellë tek të gjithë udhëtarët që të mirëmbajnë ambientin dhe të jenë akoma më të lidhur me rrugët e pastra të Kosovës.

Duke ju uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve tanë nga pika kufitarë e Vërmicës, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota i shoqëruar nga drejtori i projektit të autostradës, Kris Xhenmiens, si dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, ju bënë dhuratë atyre, një cd me këngë për të gjitha moshat dhe një qese letre për të grumbulluar mbeturinat gjatë vozitjes, transmeton RTK-ja.

Kjo ide erdhi pas punës që bëri Bektel & Enka në mbulimin dhe menaxhimin e mbeturinave të KEK-ut, në Prishtinë, thotë Kris Xhenmiens, drejtor i projektit të autostradës.

Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ambienti në jetën e njeriut, udhëtarët e mirëpritën këtë iniciativë.

Grupi i të rinjve që shoqëruan ideatorët e kësaj iniciative, do të shërbejnë udhëtarët në këtë pikë kufitare për çdo vikend, gjatë pesë javëve.

Muaj më parë kjo kompani kishte ndërmarrë edhe një iniciative tjetër në gjelbërimin e ‘Rrugës së Kombit’, ku me ndihmën e disa nxënësve të Komunës së Suharekës u mbollën mbi 1 mijë fidanë me pisha në Duhël. Ministri Mujota bëri të ditur se ai aksion vazhdon./indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›