E Diel, 1 Nëntor 2026

Vapa, fluks në ambulancat e Tetovës

Faza e portokalltë, e cila gjatë ditëve të fundit ka përfshirë vendin tonë, ka bërë që në rajonin e Tetovës, të rritet dukshëm numri i pacientëve të cilët kanë kërkua ndihmë nëpër ambulanca. Vetëm në 12 orët e fundit, tek Ndihma e Shpejtë në Tetovë, janë kontrolluar 129 pacientë, ndërsa janë regjistruar mbi 22 thirrje telefonike nga qytetarët.

Faza e portokalltë e të nxehtit, që përfshiu vendin, ka ndikuar tek të gjitha moshat, ndërsa në mesin e tyre më të prekur janë të sëmurët me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive ose rrugëve të frymëmarrjes dhe pacientë me sëmundje reumatike.

Kryeshefi i Ndihmës së Shpejtë në Tetovë, Gëzim Nuredini, thotë se pacientët që kanë kërkuar ndihmë në këtë ambulancë, kanë qenë më së shumti pacientë me sëmundje zemre, me sëmundje mushkërie ose të rrugëve të frymëmarrjes dhe pacientë me sëmundje reumatike, shkruan Zhurnal.

"Në shërbimin e ndihmës së shpejtë kemi rritje të numrit të pacientëve për shkak të valës së nxehtit. Numri i pacientëve të cilët kërkuan ndihmën e shënimit tonë brenda 12 orëve të kaluara ka qenë diku rreth 129 pacient të kontrolluar dhe 22 thirje në terren. Numri më i madh i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmën tonë janë pacient të sëmurë kronikë, si pacient me sëmundje të sheqerit, pacient me sëmundje kardiovaskulare dhe pacient me sëmundje të sistemit respirator. Ka edhe pacient që nuk kanë ndonjë sëmundje kronike për kërkojnë ndihmën tonë për shkak të kokëdhimbjes, kolapsit, etj. Për fat të mirë numri i pacientëve me jashtëqitje është i vogël dhe nuk është në shkallë alarmante", ka njoftuar Nuredini.

Mjekët porosisin qytetarët, respektivisht të sëmurët me diabet dhe sëmundje të zemrës që të mos ekspozohen shumë në diell. "Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në diell, prej orës 10-të deri në orën 17-të, veçanërisht të sëmurët me diabet dhe sëmundje të zemrës. Nëse eventualisht i nënshtrohen diellit, patjetër të mbrojnë kokën me kapelë. Duhet të konsumojnë deri 2 litër lëngje brenda ditë (ujë të pagazuar, supë, çaj), konsumim të reduktuar të produkteve ushqimore të pjekura, ëmbëlsira dhe më pakë kripë”, thonë nga Ndihma e Shpejtë.

Nga kjo ambulant thonë se kokëdhembja, vjellja, marramendja dhe dehidrimi janë shenja që duhet të paraqiten menjëher te mjeku amë. Anëtarët e personave të sëmurë duhet më shpesh t’i vizitojnë ato dhe ti kontaktojnë gjatë kohës së nxehtë. Mjekët gjithashtu rekomandojnë se nëse punohet në këto temperatura të larta mund të vije deri te dehidratimi, (humbja e lëngjeve), ngërçe në muskuj (këto paraqiten për shkak të ngarkesës në muskuj), ndikimi i rrezeve të diellit direkt në kokë mirëpo mjeku Nuredini rekomandon qytetarët që duhet t’iu kushtojnë rëndësi më së shumti masave për parandalimin e nxehtësisë.

“Masat për parandalimin e nxehtësisë janë aklimatizimi i punëtorëve, informimi për pasojat e nxehtësisë, pauza të shpeshta gjatë punës, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve, veshja duhet të jetë më speciale, pra kuptohet më adekuate për punë, (veshje për verë, kapelë, shami etj), ushqim adekuat, këtu është e preferueshme të përdoren më pak ushqime të koncentruar me ëmbëlsira dhe yndyra, kafe, alkool dhe pije të gazuara nuk duhet konsumuar”, shprehet Nuredini.

Ai shton se për mbrojtje nga i nxehti duhet pasur kujdes edhe në hapësira të mbyllura. Njëherësh, shërbimet mjekësore njoftojnë qytetarët se në këto ditë të nxehta duhet pasur kujdes edhe nga rrezet e diellit, duhet mbajtur kapela, syze për diell, si dhe kremra për mbrojtje prej rrezeve UV./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›