Porsi një kopsht në mes të Europës
Nga Ermal Petushi
Popull i zymtë, i vrarë shpirtërisht, i shkelur me këmbë. Skllav i kapitalizmit, i lekut, i nevojës për të mbijetuar. Zombie që çohen çdo ditë në mëngjes pa gjetur një motiv të vetëm për të jetuar. Parazitë të kësaj toke që se meritojmë. Me kokën zhytur nëntokë si struci e me bythën përpjetë drejtuar qeverisë.
-Po z.Pusht-et! Si urdhëroni z.Pusht-et! Taksat do ti paguaj që sot se ka mbetur shteti pa lek! O po tju kemi ju sa malet se edhe vitet e jetës nuk i kursejmë për ty. Neve sna e bëri syri terr kur i dhamë 50 vite komunizmit, çfarë janë 22 vjet pluralizëm. Për ty o z.Pusht-et kaq edhe me shumë. E kemi jetëgjatësinë mesatare 90 vjeç na e ka thënë Doktori, na dalin e teprojnë 15 vjet për të shijuar mbijetesën.
Popull dhjaksash e frikacakësh. Asnjë gjurmë dinjiteti, as pluhuri si ka ngelur respektit dhe vetëm kjo krenari e sëmurë dhe e rrezikshme nacionaliste shfaqet herë pas here tek ty o popull. Ushtarë të betuar e bashkëpunëtorë të një sistemi mafioz që ta vret motrën për hasmëri, ta lë babën të vdesë në minierë ose ta vret me duar në xhepa në shesh. Mamin ta streson e ta ngop me antidepresivë kështu që në moshën 50 vjeçe të ketë logjikën e një 10 vjeçareje ndërsa vëllanë ta fut në një labirint arsimor 20 vjeçar, mbushur me premtime boshe dhe iluzione të tipit që më vonë do gjesh punë dhe do bëhesh si ata. Në vërtetë do shkosh ti blesh vendin e punës (5000 euro) dhe ti shesësh bythën e shpirtin drejtorit të bankës për dy vitet e ardhshme për 300 mijë lek të qelbura në muaj.
Dhe për të arritur deri këtu iu deshën 20 vjet shkollë, universitet, master, doktoraturë, stazh dhe kush ka më shumë le ti shtojë. Më fal i/e dashur nëse shkatërrova aspiratën tënde për të punuar në bankë (30 % e studentëve krenohen që studiojnë ekonomi), por më duket e drejtë të të bëj me dije për të ardhmen e ndritur qe të pret. Në fund vij unë, ti, e shumë të tjerë si ne, që ikin nga kjo tokë tjerrë për të lulëzuar diku larg, sa më larg të jetë e mundur edhe pse shpesh herë ai vendi që duket pafundësisht i largët është thjesht përtej maleve apo detit. Ikim nga kjo arome ndryshku për të marrë pak aromë lirie dhe gjejmë një tjetër padron me hu në dorë që ta merr shpirtin 16 orë në ditë. Vetëm se ky z.Shtet këtej nuk është aq dinak sa mendon. Bën gabimin që i jep skllevërve të drejtën e dijes dhe vendin e punës në baze të asaj çfarë di. Shpesh herë ne shqiptarët që dëshira për dije sna mungon, studiojmë, ngremë kokën dhe kur fati do bëhemi si ata.
Po ky nuk është vendi im dhe unë dua vendin tim. Kam një dashuri të sinqertë për të ashtu siç dashurohet një vajzë apo një fëmijë. Po ky vend luan me ndjenjat tona dhe na mban larg vetes dhe sillet si bushtër here pas here. Pushteti ia përdhunoi nderin e moralin dhe e shndërroi në këtë monstër të pashpirt që është sot. Por unë prapë e dua, një dashuri platonike. Sa herë kthehem, tentoj ti flas popullit tim po është si ti flasësh një vegjetali që rënkon në shtrat prej vitesh. Eh mor popull sa dua të flas me ty si burri-burrit, por ti tashme je plak dhe pleqëria është si fëmija. Me keqardhje ndjej se nuk më kupton dot më. Ke humbur shikimin që kur të thanë që ajo që pe me sytë e tu nuk ishte reale, ishte një halucinacion. Humbe dëgjimin kur fillove të ndërroje kanal TV pas çdo skandali politik që dëgjoje saqë edhe jehonën botërore mediatike të Gërdecoshimës ti nuk e dëgjove. Ke humbur edhe gojën që në momentin kur realizove që po tentove të prekësh të paprekshmit, të pret plumbi, e që atëherë je memec. Ndaj ti zgjodhe rrugën më të lehtë, atë të mos bërit asgjë. E ke më të lehtë të pushosh së marri frymë në atë agoninë tënde, nën aromën kalbësirë asfiksuese dhe me penelinat plot shurrë.
Porsi një plak zevzek në vitet e fundit të jetës e ndjen veten krenar për shërbimin që i ke bërë pusht-etit. Krenar si një gjeneral që mburret me pushtimet qe ka bërë, ti popull të vetmin vend që pushtove ishte vendi ynë. E shkule me gjithë rrënjë lule Dijen në vitet e para 90 dhe në vend të saj mbolle fusha të tëra me pemë injorance, sepse kjo pemë është më e lehtë për tu rritur, ska nevojë për kujdesje dhe me të ushqen shumicën, ndaj sot mos prit mrekullira. Do dhe të hyjë në BE menderja jote po Europa ska nevoje për tangarllik, po për intelekt e modesti, fjalë që ti si di as kuptimin.
E kështu popull i dashur teksa më pyesnin për ty disa miq italianë, me zemrën që më rrihte fort, dorën që më dridhej nga sikleti dhe me një buzëqeshje false në fytyrë, iu përgjigja ashtu siç na ka mësuar z.Pusht-et!
-Si është vendi im? Porsi një kopsht me lule në zemër të Europës. Lule të vyshkura!
