Kompleksi proevropian i opozitës
Nga Mero Baze
Ka dy sjellje krejt të kundërta të qeverisë dhe opozitës ndaj Bashkimit Evropian në Tiranë. Nga një anë është qeveria, e cila është e qartë në dështimin e rrugës së saj për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian, dhe me këtë rast përpiqet ta përdorë këtë si një shans për të sunduar brenda vendit me mjete joperëndimore. Nga ana tjetër kemi opozitën, e cila është shumë e kompleksuar nga ideja se ne po dështojmë në rrugën tonë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian dhe këtë e paraqet jo aq pa ta drejtë si një fatkeqësi, e cila mund të errësojë perspektivën demokratike të Shqipërisë, rotacionin, zgjedhjet e lira dhe të ardhmen e vendit.
Nëse i hedh një sy axhendës dhe takimeve të Edi Ramës në Bruksel, kupton diçka edhe më tej kësaj. Opozita ka hyrë në spiralen e shqetësimit burokratik të Bashkimit Evropian për mos dëgjueshmërinë e qeverisë shqiptare. Nga fjalori i Edi Ramës dhe bashkëbiseduesve të tij në Bruksel të krijohet ideja që opozita shqiptare dhe zyrtarët evropianë takohen si hallexhinj, që i qajnë hallet njëri- tjetrit si tia bëjnë qeverisë shqiptare. Kjo qasje e opozitës shqiptare ndaj Bashkimit Evropian është pozitive dhe e përgjegjshme, por krejt e padobishme për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë. Fakti që Bashkimi Evropian e thërret liderin e opozitës shqiptare dhe qan hallet me të për qeverinë shqiptare, tregon se Brukseli e konsideron opozitën një partnere të tij, deri në detaje teknike, por kjo nuk zgjidh asgjë në krizën politike shqiptare. Siç e kemi paralajmëruar një ditë pas zgjedhjes së presidentit, Berisha do ta dështojë reformën zgjedhore dhe reformat e tjera të kërkuara nga Brukseli, pasi është i qartë se statusin e ka humbur qyshkurse rrëmbeu me çdo mjet presidentin. I qartë në objektivin e tij, Berisha nuk ka ndërmend të harxhojë kohë duke rregulluar biografinë në Bruksel, por duke përgatitur terrenin për të ngjallur dëshpërim në opozitë dhe për të rivjedhur mandatin e tij të tretë. Në këto kushte qasja e moderuar e opozitës ndaj Bashkimit Evropian e kthen atë në një opozitë teknike, që kërkon të rregullojë apo të qepë thesin e grisur të qeverisë shqiptare, nga rrjedhin rrugës standardet dhe detyrimet që ne kemi ndaj Bashkimit Evropian.
Kjo qasje nuk është e dëmshme për Shqipërinë dhe imazhin e saj në tërësi, nuk është e kritikueshme, nuk është pa vlera, por është e pafuqishme për të ndryshuar këtë situatë. Opozita duhet të heqë dorë nga pozitat e saj mbrojtëse ndaj akuzave të qeverisë për regresin ndaj Bashkimit Evropian. Opozita nuk është përgjegjëse për asgjë çfarë dështon me vetëdije Sali Berisha dhe duhet ta injorojë fare këtë debat. Ajo as që duhet të marrë mundimin ti përgjigjet Sali Berishës për këto akuza. Sali Berisha e ka me Brukselin betejën për plotësimin e kushteve dhe jo me opozitën. Opozita duhet të ngrejë stekën e debatit të saj në nivel politik dhe të bëhet shpresë për faktorët opozitarë në Shqipëri. Futja e saj në spiralet teknike të kushteve të Brukselit për detyrimet tona është një humbje e madhe energjie dhe kohe për një proces, për të cilën ajo as është përgjegjëse dhe as e mandatuar nga elektorati i saj.
Misioni i saj është të heqë nga pushteti Sali Berishën dhe ai rrëzohet kur fuqitë opozitare fokusohen kundër tij dhe jo kur humben energji për të sqaruar dokrrat e tij antiperëndimore.
Sali Berisha ka në favor të tij faktin që Shqipëria nuk do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar të BE, dhe është i qartë se si do ta përdorë këtë. Opozita nuk ka pse e kthen në opsion të saj faktin që ajo dhe shqiptarët do të shpëtojnë nga vjedhja e votave dhe standardet antidemokratike të Shqipërisë vetëm nëse marrim statusin. Kjo është një rrugë, dhe rrugë shumë e mirë, por ne kemi nevojë të jetojmë dhe shpresojmë edhe pas tetorit kur nuk do ta marrim këtë status. Opozita duhet të përgatitet për këtë betejë, për betejën për të mundur Berishën këtu. Kështu e ndihmon edhe më shumë Brukselin, se sa kur shkon e qan hallet atje si plakat e lagjes që i ka gjetur belaja me një delenxhi që quhet Sali Berisha.
Nëse ngelemi tek opsioni i vetëm që nga vjedhja e votave të Berishës dhe shteti privat i tij na shpëton vetëm statusi, atëherë kemi marrë fund si opozitë. Nuk na shpëtoi nga vjedhja e votave futja në NATO, dhe nuk do të na shpëtojë nga veset tona antidemokratike as marrja apo mosmarrja e statusit. Opozitën e shpëton fuqia e saj politike dhe morale dhe ajo duhet të luftojë për këtë. Në pikën e saj më të ulët të popullaritetit dhe në kulmin e gjesteve arrogante të qeverisë kundrejt rekomandimeve të Perëndimit, opozita shqiptare, në vend që të ishte më e forta dhe më e bashkuara, është më e përçara dhe më e kompleksuara tek gjëra tërësisht teknike që nuk i vlejnë asaj politikisht. Në vend që Berisha të merrej me kushtet teknike dhe Rama të impononte me protestën qytetare dhe opozitë të ashpër plotësimin politik të kushteve të Brukselit, jemi kthyer në një vend atipik ku lideri i opozitës sillet si ministër i Jashtëm dhe kreu i qeverisë si këshilltar i opozitës.
Kjo situatë e bën më të sigurt mbijetesën e Berishës se sa mbijetesën e opozitës përballë rrugës sonë të dështuar evropiane. Berisha është i qartë se e ka humbur Evropën dhe do të fitojë pushtetin me çdo kusht, kurse opozita mendon se duhet të fitojmë me çdo kusht Evropën që të marrë pushtetin. Kjo nuk është fort gjë e mençur. Biles as e sigurt!
