Porta e sigurtë edhe për 20 vjet

Në kohën kur drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) po mendojnë për rinovimin e ekipit kombëtar, ish-portieri kuqezi po ndjek me vëmendje zhvillimet në përfaqësuesen e Shqipërisë.
Ish-portieri i disa klubeve greke në një intervistë dhënë televizionit shqiptar ABC News
Ka theksuar se përfaqësuesja e Shqipërisë të paktën në portë ka garanci.
Beqaj ka vlerësuar kualitetin e portierit të Novarës, Samir Ujkanit, si edhe talentin e ri Thoma Strakosha, i cili së fundi u transferuar te Roma, duke thënë se porta kuqezi është e sigurt edhe për 15 apo 20 vjet të tjera.
“E kamë thënë edhe më herët se Kombëtarja shqiptare nuk ka problem më për portier, pasi tani ka Samir Ujkanin. Ai është portier i mirë, i cili ka treguar vazhdimësi. Po ashtu Shqipëria ka edhe një portieri që premton, portierin e ri Thoma Strakoshën ”, ka theksuar Beqaj.
Sa i përket kualifikueseve të Botërorit 2014, prizrenasi ka deklaruar se për një skuadër si Shqipëria të gjitha ndeshjet janë të vështira.
Në fund, ish-portieri ka vlerësuar emërimin e trajnerit Gianni de Biasi, por thekson se vetëm rezultatet në fushën e lojës janë ato që do ti japin të drejtë zgjedhjes së italianit.
Arian Beqaj, në mesin e muajit gusht i dha lamtumirën futbollit të luajtur dhe Kombëtares shqiptare, për shkak të problemeve fizike të viteve të fundit. Tani 36-vjeçari, punon si trajner i portierëve te ekipi qipriot Anorthosis.
Ish numri një i Kombëtares shqiptare, i cili karrierën e ka filluar te klubi prizrenas, Liria, pjesën më të madhe të karrierës ka luajtur në Greqi dhe Qipro.
Ai ka veshur fanellën e Partizanit të Tiranës, OFI Crete, Ionikos, Anorthosis Famagusta, Olympiakos Nicosia dhe së fundi Ermis Aradippou.