E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajraktari drejt Bundesligës

Pas paraqitjeve të mira me përfaqësuesen U19 të Shqipërisë, Mërgim Bajraktari ka zgjuar interesimin e disa skuadrave evropiane. Ai gjatë afatit kalimtar të janarit mund të transferohet te Kolni, klubi i cili ka bërë ftesë që të provohet. Për 18 vjeçarin, interesim kanë shprehur edhe ekipe nga Italia dhe Zvicra.

Mërgim Bajraktari mund ta bëjë një hap të madh në karrierë gjatë afatit kalimtar të janarit. Mbrojtësi i ekipit zviceran Thun ka mundësi të mira që karrierën ta vazhdojë në elitën e futbollit gjerman.

18 vjeçari ka zgjuar interesimin e skuadrës gjermane Koln, ku luan edhe reprezentuesi i Shqipërisë Odise Roshi. Ai do ti bashkohet ekipit nga Bundesliga në janar ku do të provohet për disa ditë

“Në janar do të shkoj në prova te Kolni. Unë jam i përgatitur dhe besoj se me sukses do të paraqitem te ky klub. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë”, ka thënë Bajraktari për Express.

Ai tregon se në sytë e klubit gjerman ka rënë gjatë paraqitjeve me Përfaqësuesen U-19 të Shqipërisë në elemiantoret për Kampionatin Evropian U19. Sipas Bajraktarit, skautët e klubit gjerman e kanë vëzhguar edhe gjatë ndeshjeve që ka zhvilluar me ekipin e dytë të Thunit.

Por Koln nuk është klubi i vetëm që ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e talentit kosovar. Bajraktari ndjek edhe nga klube të tjera gjermane, italiane si dhe zvicerane.

“Karlsruhe më ka bërë ofertë që të nënshkruaj menjëherë. Po ashtu Freiburg nga Bundesliga, Varese nga Serie B dhe Basel, Grasshoppers, St Gallen e Will kanë shprehur interesim. Gjitha këto mundësi janë të hapura por unë për momentin jam i përqendruar te Koln se far do të bëhet”, theksoi ai.

Përveç këtyre ekipeve, Bajraktari ka edhe një opsion. Ekipi i të rinjve të Lazios është destinacion i tij i mundshëm. Ai ishte provuar tek ekipi romak gjatë nëntorit dhe kishte lënë përshtypje të mira.

“Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare ishte i kënaqur me atë çka tregova. Në janar do të bisedojmë sërish me Taren dhe do të shohim se çfarë do të ndodh”, u shpreh ai.

Derisa shumë skuadra ia kanë vërë syrin Bajraktarit, këtij të fundit i është ofruar që të stërvit me ekipin e parë të Thunit, ku ishte transferuar në janar të këtij viti nga klubi zviceran Yverdon-Sport.

Bajraktari gjatë këtij viti ishte pajisur me pasaportë shqiptare derisa debutoi me sukses te përfaqësuesja U19 e Shqipërisë. Ai shpreson që në vitit 2012 të ftohet në ekipin e shpresave kuqezi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›